Demostratat në Iran, paralajmëron Trump: “Kanë probleme të mëdha. Nëse vrasin njerëz, do të ndërhyjmë”

Data

Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Iranit, në kulmin e protestave antiqeveritare që kanë shpërthyer në disa qytete të vendit. Ai theksoi se Shtetet e Bashkuara do të reagojnë nëse situata përshkallëzohet në gjakderdhje.

“Irani ka probleme shumë të mëdha,” u shpreh Trump, duke vënë në dukje se demonstratat po zgjerohen me ritme të shpejta dhe se, sipas raportimeve, po shoqërohen me ndërprerje të internetit dhe masa represive nga forcat e sigurisë.

Presidenti amerikan tha se zhvillimet e brendshme në Republikën Islamike janë më të thella dhe më të shpejta se sa pritej, ndërsa Uashingtoni “po e ndjek situatën nga shumë afër”. Ai shtoi se ka sinjale se protestuesit janë pranë marrjes së kontrollit në disa zona urbane.

Me tone të ashpra, Trump i bëri thirrje autoriteteve iraniane të mos përdorin dhunë ndaj qytetarëve:

“Mos filloni të qëlloni, sepse do të qëllojmë edhe ne,” deklaroi ai.

Trump paralajmëroi se një shtypje e përgjakshme e protestave do të provokojë reagim të menjëhershëm amerikan. “Nëse fillojnë të vrasin njerëz, siç kanë bërë më parë, ne do të ndërhyjmë,” theksoi ai.

Duke sqaruar kuadrin e një ndërhyrjeje të mundshme, Trump përjashtoi dërgimin e trupave tokësore, por la të hapur opsionin e goditjeve të rënda ushtarake:

“Kjo nuk do të thotë trupa në terren. Do të thotë t’i godasim shumë fort, aty ku u dhemb më shumë.”

Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të larta në Lindjen e Mesme dhe rrisin shqetësimet për një përshkallëzim të mëtejshëm të situatës, ndërsa Teherani nuk ka reaguar ende zyrtarisht.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related