Tenderi i KESH çon dosjen në gjykatë / Mes të pandehurve edhe gruaja e Evis Berberit, vartës të Ballukut

Data

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dërguar për gjykim një tjetër dosje që lidhet me shkelje në procedurat e prokurimit publik pranë Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH).

Mes personave të pandehur është edhe Adela Ruko, bashkëshortja e Evis Berberit. Në total, të pandehur në këtë çështje janë: Benet Beci, Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti dhe Rudin Gjoni, të akuzuar për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.

SPAK bën me dije se më datë 8 janar 2026 ka paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme kërkesën për gjykimin e procedimit penal nr. 196 të vitit 2024. Hetimi ka të bëjë me një procedurë prokurimi të zhvilluar nga KESH, me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me fond limit prej 69.5 milionë lekësh.

Hetimi ka nisur mbi bazën e referimit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sipas SPAK, gjatë zhvillimit të kësaj procedure janë konstatuar shkelje të ligjit për prokurimin publik, që lidhen me përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve në dokumentacionin e tenderit, si dhe me fazën e vlerësimit të ofertave.

Nga provat e administruara rezulton se Benet Beci, në cilësinë e administratorit të KESH dhe titullar i autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarë të njësisë së prokurimit dhe komisionit të vlerësimit të ofertave, dyshohet se ka paracaktuar dhe krijuar avantazhe të padrejta për shoqërinë fituese “Consulting & Management Albania” sh.p.k.

SPAK thekson se veprimet e kryera janë në kundërshtim me ligjin për prokurimin publik dhe aktet nënligjore përkatëse, duke cenuar barazinë e pjesëmarrësve në këtë procedurë.

Çështja tashmë pritet të shqyrtohet nga Gjykata e Posaçme, ndërsa hetimet vijojnë edhe për persona të tjerë në procedime të lidhura.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related