Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka bërë një deklaratë tronditëse, duke zbuluar se është kërcënuar me jetë pas akuzave të ngritura nga SPAK ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku. Në një intervistë ekskluzive televizive, Ahmetaj tregoi se në muajin tetor ka marrë një mesazh kërcënues nga një numër i huaj, i dyshuar se përdorte sisteme të avancuara për fshehjen e identitetit.
Sipas tij, mesazhi ishte i drejtpërdrejtë dhe brutal: një kërcënim me vdekje. Numri nga i cili erdhi mesazhi dyshohet se kishte origjinë nga Amerika Latine ose Azia, ndërsa hetimet paraprake tregojnë se nuk bëhet fjalë për një linjë të zakonshme telefonike, por për komunikim të maskuar përmes teknologjive VPN që ndryshojnë vazhdimisht vendndodhjen.
Ahmetaj theksoi se kërcënimi nuk mund të shihet si rastësi, pasi përkon në kohë me momentin kur SPAK akuzoi për herë të parë zyrtarisht Belinda Ballukun. Ai shtoi se informacioni për këto mesazhe është depozituar pranë autoriteteve përkatëse ndërkombëtare dhe se rasti po trajtohet me seriozitet maksimal.
I pyetur pse nuk është tentuar më parë të “blihet” apo heshtet, Ahmetaj u shpreh se kërcënimet janë përdorur si mjet presioni për ta frikësuar atë dhe familjen e tij, por se kjo strategji ka dështuar. Ai deklaroi se nuk do të ndalet së foluri dhe se për të e vërteta ka më shumë vlerë se çdo rrezik personal.
“Një burrë ka dy vdekje,” u shpreh Ahmetaj. “Një kur merr frymën e fundit dhe një tjetër kur i merret dinjiteti padrejtësisht. Mua më kanë tentuar të më marrin dinjitetin, por nuk do t’ua lejoj.”
Ai theksoi se kërcënimet nuk kanë të bëjnë vetëm me të, por me një përpjekje më të gjerë për të mbyllur gojën e kujtdo që flet për lidhjet mes pushtetit, krimit të organizuar dhe korrupsionit. Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një moment kritik, ku institucionet janë nën presion dhe e vërteta po luftohet me frikë dhe dhunë psikologjike.
Ahmetaj deklaroi se siguria e familjes së tij është prioritet absolut, por theksoi se heshtja nuk është zgjidhje. “Mjerë kush tenton të kërcënojë familjen time,” tha ai, duke paralajmëruar se çdo akt intimidimi do të ketë pasoja.
Në fund të deklaratës, ai e përshkroi situatën aktuale si një rrezik real për demokracinë dhe shtetin ligjor, duke akuzuar pushtetin se po e shndërron vendin në një territor ku krimi i organizuar dhe kartelet e drogës diktojnë vendimmarrjen politike.
“Ky nuk është vendi që duam. Ky është një sistem që mbron vetëm një grusht njerëzish dhe interesash,” përfundoi Ahmetaj, duke e cilësuar kërcënimin ndaj tij si provë se e vërteta po prek nerva të rrezikshëm.
