Analisti Aulon Kalaja ka reaguar ashpër lidhur me situatën e përmbytjeve në Durrës dhe zonat përreth, duke e cilësuar gjendjen si pasojë direkte të keqmenaxhimit dhe papërgjegjshmërisë së pushtetit vendor dhe qendror.
Në komentet e tij, Kalaja u ndal veçanërisht te dalja publike e zv/kryeministres Belinda Balluku në Novoselë pas përmbytjeve, duke deklaruar se një veprim i tillë është i papranueshëm dhe provokues për qytetarët e dëmtuar.
“Duhet të jemi të qartë: nuk kemi pasur reshje ekstreme, por reshje normale. Mjafton një shi dhe vendi përmbytet. Bashkitë dhe qeveria qendrore nuk pastrojnë kanalet kulluese, të cilat duhet të pastrohen që në muajin maj,” u shpreh Kalaja.
Ai solli si shembull zonën e Bubqit, ku sipas tij janë ndërtuar banesa mbi kanale kulluese, duke bërë që qendra e zonës të përmbytet sa herë bie shi. Kalaja theksoi se kjo nuk është një situatë e re dhe se, nëse nuk merren masa, e njëjta gjë do të ndodhë sërish me reshjet e ardhshme.
“Thonë se banorët kanë ndërtuar keq, por kush i lejoi të ndërtonin? Qytetarëve u merren taksa për ujë e drita, por nuk u jepet asnjë zgjidhje përfundimtare,” tha ai.
Kalaja kritikoi mungesën e reagimit nga kryeministri, duke theksuar se në situata të tilla ai duhet të jetë në krye të operacioneve dhe të shpallet gjendja e jashtëzakonshme.
“Shqipëria digjet, këta krihen. Del në terren një zonjë që duhet të ishte në burg. Është përmbytur edhe burgu i Durrësit, uji ka hyrë në të gjithë katin e parë, dhe ajo që duhet të ishte pas hekurave del në krye të operacioneve. Është e paimagjinueshme,” u shpreh Kalaja.
Në fund, ai kritikoi edhe prioritetet e qeverisë, duke përmendur shpenzimet e mëdha për projekte luksi, ndërkohë që infrastruktura bazë, si kanalet kulluese në Durrësin e Ri, mungon prej dekadash.
