Autoriteti Rrugor Shqiptar ka dalë në terren për të monitoruar situatën e krijuar nga moti i keq, veçanërisht në zonat malore të vendit. Drejtori i ARRSH-së, Ami Kozeli, po inspekton punimet dhe mirëmbajtjen e akseve rrugore në Qafë Thorë, zonë e prekur nga reshjet e dëborës.
Sipas ARRSH-së, aktualisht janë në gatishmëri edhe 6 mjete shtesë për të garantuar qarkullimin normal në drejtim të Bogës dhe Thethit. Problematikat kryesore në këtë aks, por edhe në rrugë të tjera malore, lidhen me ngricat, borën e dendur dhe rrezikun e ortekëve.
Firma nënkontraktore ka marrë të gjitha masat e nevojshme për mirëmbajtjen e rrugëve. Për sezonin dimëror, nga data 1 nëntor deri më 15 mars, në të gjithë vendin janë angazhuar rreth 130 borëpastruese dhe 800 punonjës në gatishmëri të plotë.
ARRSH u bën thirrje drejtuesve të automjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes, të jenë të pajisur me goma dimërore dhe zinxhirë, veçanërisht në zonat malore.
