Partia Demokratike akuzon mazhorancën se po përpiqet të bllokojë drejtësinë duke shndërruar Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin në një proces të mirëfilltë gjyqësor, me qëllim mbrojtjen politike të zëvendëskryeministres Belinda Balluku, për të cilën SPAK ka kërkuar autorizim për arrest.
Avokatja Adriana Kalaja, gjatë një daljeje televizive, deklaroi se kërkesa e opozitës për mbledhjen e menjëhershme të Këshillit tregon qartë ndarjen mes atyre që duan zbatimin e ligjit dhe atyre që përpiqen ta shkelin atë. Sipas saj, mazhoranca po përdor manovra procedurale për të vonuar një proces që duhet të ishte thjesht formal.
Kalaja theksoi se kërkesa e SPAK-ut është e argumentuar dhe e domosdoshme për të parandaluar manipulimin apo zhdukjen e provave, si edhe për të shmangur intimidimin e dëshmitarëve. Ajo nënvizoi se këto rrethana janë pasqyruar qartë si në shkresën drejtuar Kuvendit, ashtu edhe në dokumentacionin e depozituar në Gjykatën e Posaçme.
Sipas saj, çështja nuk lidhet vetëm me masën e sigurimit personal ndaj Ballukut, por edhe me mbrojtjen e fondeve publike. Ligji, tha Kalaja, parashikon masa si sekuestroja për të ndaluar agravimin e veprës penale dhe për të garantuar që paratë e buxhetit të mos vijojnë të keqpërdoren.
“Në asnjë vend të Europës nuk ndodh që një person i pandehur për vepra të rënda penale të vazhdojë të jetë zëvendëskryeministër dhe ministër, duke menaxhuar tendera me vlerë miliona euro,” u shpreh ajo, duke e cilësuar situatën si një moment ku, sipas saj, “bien maskat” e propagandës qeveritare.
Kalaja argumentoi se Këshilli i Mandateve nuk ka asnjë kompetencë të hetojë apo të gjykojë, por vetëm të verifikojë ligjshmërinë formale të kërkesës së SPAK-ut. Përpjekja për ta kthyer këtë seancë dëgjimore në një farsë gjyqësore, sipas saj, nuk bëhet për të mbrojtur Ballukun, por nga frika e një efekti zinxhir që mund të përfshijë zyrtarë të tjerë të lartë.
Në përfundim, Kalaja deklaroi se problemi real nuk është fati personal i Ballukut, por frika politike e kryeministrit. “Rama ka hallin e vet,” u shpreh ajo, duke paralajmëruar se drejtësia mund të mos ndalet vetëm te një emër.
