Tensione të forta dhe përplasje verbale janë shënuar sot para Kryeministrisë, pasi Policia e Shtetit ndërhyri për të hequr çadrat e protestuesve që ndodheshin prej ditësh në shesh, në kuadër të protestës së organizuar nga lëvizja “Shqipëria Bëhet”.
Kreu i lëvizjes, Adriatik Lapaj, reagoi ashpër ndaj efektivëve të policisë, duke i akuzuar hapur se po veprojnë me urdhër politik dhe jo në mbrojtje të ligjit apo qytetarëve. Me tone të forta dhe gjuhë të drejtpërdrejtë, Lapaj sulmoi zëvendëskryeministren Belinda Balluku, duke e quajtur “hajdute” dhe duke e lidhur ndërhyrjen e policisë drejtpërdrejt me emrin e saj.
“Merrni Belindën, se ajo ua fut juve. Doni Belinda Ballukun, hajdutja! Keni marrë sot një oficer që është doktor shkencash, se do Belinda Balluku,” deklaroi Lapaj para efektivëve, duke akuzuar Policinë e Shtetit se po përdoret si instrument politik kundër protestuesve paqësorë.
Lapaj theksoi se protesta ka qenë e qetë dhe pa incidente, ndërsa sipas tij, policia po godet qytetarët që protestojnë paqësisht, por toleron apo favorizon elementë të dhunshëm kur kjo i shërben pushtetit.
“Nuk më doni mua që ju respektoj, doni ata që vijnë me molotovë,” u shpreh ai, duke akuzuar institucionet se po e shtyjnë qëllimisht protestën drejt tensioneve.
Ai vijoi akuzat duke thënë se Policia e Shtetit nuk po mbron rendin publik, por interesat e zyrtarëve të lartë të qeverisë, duke e kthyer uniformën në një mjet presioni ndaj qytetarëve që kërkojnë dorëheqje, drejtësi dhe zgjedhje të lira.
Sipas Lapajt, heqja e çadrave nuk është akt ligjor, por një mesazh intimidimi për të frikësuar protestuesit dhe për të shuar qëndresën qytetare që ka zgjatur prej ditësh para Kryeministrisë.
Përplasja e sotme thellon edhe më tej krizën mes protestuesve dhe institucioneve, ndërsa retorika e ashpër e Lapajt tregon se tensionet politike dhe sociale në vend janë larg qetësimit.
