Lapaj shpërthen para Kryeministrisë: Civilë të infiltruar erdhën për të frikësuar qytetarët

Data

Kreu i Lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka reaguar ashpër pas zhvillimeve në protestën para Kryeministrisë, ku ai dhe aktivistë të tjerë ndodhen prej 28 ditësh në qëndresë të pandërprerë kundër qeverisë.

Lapaj theksoi se strategjia e lëvizjes nuk është spektakli apo numrat, por qëndresa qytetare dhe thyerja e frikës, të cilën e cilësoi si armën më të fortë të pushtetit.

“Qëndresa është strategjia jonë”

“Ka vetëm një strategji: qëndresa, aq sa të mundemi, aq sa vijnë njerëzit. Nuk më kompleksojnë numrat. Strategjia jonë është qëndresa dhe po i bëjmë vendit një shërbim të madh, sepse po vritet frika”, deklaroi Lapaj.

Sipas tij, protestuesit po japin një model të ri proteste, pa dhunë, pa incidente dhe pa provokime, duke treguar se kundërshtimi i pushtetit mund të bëhet pa frikë.

Akuza të rënda: Civilë për intimidim

Lapaj ngriti akuza të forta për praninë e personave civilë mes policisë, të cilët sipas tij po filmonin dhe fotografonin protestuesit me qëllim frikësimi.

“Unë kam respekt për Policinë e Shtetit, kur ajo është polici e shtetit dhe jo e bandave. Por mes policëve kishte civilë që bënin foto njerëzve. Pse duhen këta? Ka kamera në çdo cep. Nëse duan identifikim, le të vijë një efektiv me uniformë”, u shpreh ai.

“Civil me kapuç = bandit”

Lapaj tha se prania e personave civilë me fytyrë të mbuluar krijon pasiguri dhe është e rrezikshme për protestën paqësore.

“Kemi 28 ditë këtu dhe nuk është prekur asnjë lule. Kur vjen një civil me kapuç që mbulon fytyrën dhe fotografon njerëzit, ne mendojmë se është bandit. Policia me uniformë na shikon në sy. Civilët që intimidojnë janë të paligjshëm dhe të rrezikshëm”, deklaroi ai.

Sipas Lapajt, veprime të tilla synojnë të rikthejnë frikën tek qytetarët, por protestuesit nuk do të tërhiqen.

“Strategjia jonë është e qartë: qëndresë, pa dhunë, pa frikë. Dhe këtë betejë nuk do ta ndalim,” përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related