Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka reaguar për zhvillimet e fundit në Venezuelë, duke i cilësuar ato si një provë të rëndësishme për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara do të përballen në të ardhmen me udhëheqësit autoritarë.
Edhe pse nuk përmendi drejtpërdrejt emra, Zelensky la të kuptohet se një qasje e tillë mund të shërbejë si precedent edhe për situata të tjera në botë, duke aluduar në mënyrë të tërthortë te presidenti rus Vladimir Putin.
Deklarata u bë pas një takimi të këshilltarëve të sigurisë kombëtare të vendeve evropiane, vetëm pak kohë pasi njësia elitare amerikane Delta Force arrestoi presidentin venezuelian Nicolas Maduro.
I pyetur nga një gazetar për ngjarjet në Venezuelë, Zelensky u shpreh:
“Çfarë mund të them për Venezuelën? Nëse është e mundur të veprohet ndaj diktatorëve të tillë, atëherë Shtetet e Bashkuara e dinë se çfarë të bëjnë më pas.”
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se SHBA-të synojnë të marrin përkohësisht përgjegjësinë për qeverisjen e Venezuelës, me qëllim garantimin e një tranzicioni të sigurt dhe të rregullt pas arrestimit të Maduros.
