Tragjedia në Crans-Montana/ Mes viktimave dyshohet edhe një sportist i ri italian, familjarët shpresojnë ende

Data

Detaje të reja po dalin lidhur me zjarrin tragjik që shpërtheu gjatë natës së ndërrimit të viteve në klubin “Constellation”, në resortin alpin të Crans-Montana në Zvicër, ku dhjetëra persona humbën jetën dhe shumë të tjerë mbetën të plagosur.

Mes emrave të parë të raportuar si viktima është edhe 16-vjeçari italian Emanuele Galepini, një talent i njohur i golfit. Lajmi u bë i ditur nga Federata Italiane e Golfit, e cila shprehu publikisht dhimbjen për humbjen e sportistit të ri.

Sipas informacioneve paraprake, telefoni i të miturit është gjetur në zonën ku janë transportuar trupat e pajetë, në pritje të identifikimit përmes analizave të ADN-së, pasi zjarri ka shkaktuar dëmtime të rënda që e bëjnë procesin e identifikimit të vështirë.

Megjithatë, familjarët refuzojnë të pranojnë humbjen si përfundimtare. Xhaxhai i tij, Sebastiano Galepini, ka deklaruar se Emanuele figuron ende në listën e personave të zhdukur dhe se familja shpreson që ai të jetë mes të plagosurve të dërguar në spitale të ndryshme.

“Për momentin, po presim rezultatet e ADN-së. Ende kemi shpresë”, është shprehur ai, duke shtuar se kontakti i fundit me djaloshin ka qenë pak pas mesnatës, gjatë urimeve për Vitin e Ri – një festë që u shndërrua në tragjedi.

Autoritetet zvicerane vijojnë hetimet dhe procesin e identifikimit të viktimave, ndërsa bilanci përfundimtar i kësaj ngjarjeje pritet të konfirmohet në ditët në vijim.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related