Nis mandati 6-mujor / Qiproja merr presidencën e Këshillit të BE-së

Data

Qiproja ka marrë zyrtarisht presidencën e radhës të Këshillit të Bashkimit Evropian, duke nisur mandatin gjashtëmujor në një periudhë të shënuar nga sfida të mëdha gjeopolitike dhe pasiguri ndërkombëtare. Kjo është hera e dytë që vendi ishullor mban këtë rol të rëndësishëm, pasi e ka ushtruar edhe në gjysmën e dytë të vitit 2012.

Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, deklaroi se presidenca nis në një moment vendimtar për Bashkimin Evropian, duke theksuar nevojën për një union më të fortë dhe më të përgatitur për krizat aktuale dhe të ardhshme. Sipas tij, forcimi i autonomisë strategjike të BE-së përbën hapin e radhës në procesin e integrimit evropian.

“Një Bashkim më autonom do të demonstrojë forcën e brendshme të nevojshme për të bashkëpunuar me partnerët e jashtëm sa herë që kjo është e mundur, por edhe për të vepruar në mënyrë të pavarur kur rrethanat e kërkojnë”, u shpreh Christodoulides.

Gjatë prezantimit të prioriteteve të presidencës qipriote, ai renditi pesë objektiva kryesore që do të udhëheqin punën e Këshillit të BE-së gjatë këtyre gjashtë muajve: forcimin e sigurisë dhe mbrojtjes, rritjen e gatishmërisë për përballimin e krizave, përmirësimin e konkurrueshmërisë dhe hapjes së Bashkimit Evropian ndaj botës, promovimin e vlerave universale dhe ndërtimin e një buxheti që mbështet një bashkim më të qëndrueshëm dhe më të vetëmjaftueshëm.

Presidenca e Qipros pritet të fokusohet edhe në koordinimin e vendeve anëtare përballë sfidave ekonomike, sigurisë energjetike dhe zhvillimeve gjeopolitike, me synimin për të ruajtur unitetin dhe për të forcuar rolin e Bashkimit Evropian në skenën ndërkombëtare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related