Eksperti i ekonomisë dhe nënkryetari i këshilltarëve të opozitës në Bashkinë e Tiranës, Dorain Teliti, e ka cilësuar vitin 2025 si një vit të humbur për qytetarët shqiptarë, duke renditur atë që ai i quan 10 dështimet kryesore të qeverisë gjatë vitit që lamë pas.
Përmes një reagimi publik, Teliti thekson se 2025-a u shënua nga varfëri në rritje, pensione të pamjaftueshme, inflacion i lartë dhe emigracion ekonomik i pandalur, ndërsa sipas tij qeveria zgjodhi propagandën në vend të zgjidhjeve reale për qytetarët.
Sipas Telitit, problematikat kryesore që shoqëruan vitin 2025 janë:
- Mungesa e minimumit jetik, duke lënë qindra mijëra familje nën kufirin e varfërisë dhe duke thelluar pabarazinë sociale.
- Pensione të pamjaftueshme, që nuk garantuan një jetë minimale dinjitoze për të moshuarit.
- Çmime të larta dhe inflacion i pakontrolluar, pa masa reale mbrojtëse për shtresat në nevojë, ndërsa rritjet e pagave u konsideruan fiktive.
- Buxhet pa ndjeshmëri sociale, i largët nga hallet e qytetarëve dhe i orientuar drejt interesave klienteliste.
- Pasiguri ekonomike dhe mungesë besimi, që sipas tij paralizuan iniciativën dhe investimet.
- Rritje e presionit fiskal mbi biznesin e vogël, të mesëm dhe të madh, pa përmirësim të shërbimeve publike.
- Informalitet i lartë dhe konkurrencë e pandershme, ku bizneset e ndershme u penalizuan.
- Braktisje e prodhimit vendas, me bujqësi pa mbështetje dhe industri të goditur.
- Emigracion ekonomik i pandalur, sidomos i të rinjve, duke sjellë shkretim social dhe ekonomik.
- Skandale me tendera dhe koncesione, që sipas tij përfaqësojnë një dështim moral të qeverisjes përballë varfërisë dhe pabarazisë.
Në përfundim, Teliti thekson se viti 2025 u mbyll me familje më të varfra, biznese më të lodhura dhe një shtet që, sipas tij, ka zgjedhur justifikimet dhe propagandën në vend të politikave reale sociale dhe ekonomike.
“Qytetarët meritojnë dinjitet, jo justifikime”, përfundon ai.
