Një ngjarje e rëndë dhe ende e paqartë ka tronditur qytetin e Shkodrës, ku 67-vjeçari Hysni Ymeri humbi jetën pas një shpërthimi të fuqishëm në hyrjen e pallatit ku banonte. Ngjarja ndodhi në momentin kur ai sapo kishte mbërritur për t’u ngjitur në banesën e tij në katin e katërt.
Edhe disa orë pas incidentit, Policia e Shtetit nuk ka arritur të përcaktojë shkakun e saktë të shpërthimit dhe po heton në dy pista: përdorimin e një lënde eksplozive ose një defekt të rëndë në panelin e matësve të energjisë elektrike.
Nga ana e saj, OSHEE ka përjashtuar mundësinë që shpërthimi të jetë shkaktuar nga sahati elektrik, duke sqaruar se pajisje të tilla nuk shpërthejnë, por në rast defekti shkaktojnë vetëm zjarr. Për këtë arsye, njësia anti-eksploziv nga Tirana ka sekuestruar materiale të ndryshme në vendngjarje, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të zbuluar nëse ka pasur përdorim të tritolit apo lëndëve të tjera plasëse.
Ekspertiza paraprake mjeko-ligjore e kryer në Spitalin Rajonal të Shkodrës sugjeron se shkaku i vdekjes mund të ketë qenë kontakti me energjinë elektrike. Sipas raportit, viktima kishte djegie në zonën e kokës dhe dëmtime serioze në dorën e djathtë, e cila rezulton e nxirë nga energjia elektrike. Ky detaj ka ngritur dyshime se Hysni Ymeri mund të ketë rënë në kontakt të drejtpërdrejtë me rrymën, i shoqëruar me flakë.
67-vjeçari u transportua në spital me shenja jete, por nuk arriti të mbijetojë. Në Shkodër ndodhej edhe djali i tij, i ardhur nga jashtë vendit disa ditë më parë për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore të nënës së tij. Familjarët kanë deklaruar se nuk kanë pasur konflikte apo kërcënime së fundmi.
Megjithatë, nëse hetimet do të provojnë se bëhet fjalë për atentat, autoritetet po shqyrtojnë edhe pista të vjetra të gjakmarrjes. Në vitin 1995, vëllai i Hysni Ymerit vrau një person në Kiras, ngjarje për të cilën u dënua dhe më vonë familjet u pajtuan. Emri i familjes Ymeri është përmendur edhe në disa ngjarje të rënda kriminale në dekadat e fundit, përfshirë vrasje dhe konflikte pronësie.
Policia vijon hetimet, ndërsa pritet që analizat laboratorike dhe ekspertizat përfundimtare të hedhin dritë mbi shkakun real të shpërthimit që i mori jetën 67-vjeçarit.
