“Opozita duhet të veprojë”, Salianji paralajmëron: Qeveria e Ramës po shpërdoron miliarda euro tendera

Data

Nga Shkodra, ku zhvilloi takimin e radhës me demokratët, Ervin Salianji ka ngritur akuza të forta ndaj qeverisë, duke deklaruar se vendi ndodhet përballë një krize të thellë korrupsioni, abuzimi me fondet publike dhe mungese përgjegjësie politike.

Salianji u ndal te skandalet që kanë përfshirë qeverinë, zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe institucionet shtetërore, duke theksuar se shpërdorimi i miliarda eurove përmes tenderëve është kthyer në një praktikë të zakonshme.

Sipas tij, qeveria aktuale ka humbur çdo lidhje me qytetarët dhe funksionon si një sistem i mbyllur, i mbështetur në korrupsion, klientelizëm dhe presion ndaj administratës.

“Një qeveri e zhytur në skandale, që ka humbur ndjeshmërinë morale ndaj halleve të njerëzve dhe nuk njeh më fjalën përgjegjësi. Shteti është shndërruar nga shërbëtor i qytetarëve në instrument të interesave të ngushta. Skandalet janë bërë rutinë, abuzimet financiare dhe lidhjet mes pushtetit dhe krimit janë kthyer në normalitet,” u shpreh Salianji.

Ai theksoi se në çdo vend demokratik, një ministër apo zyrtar i përfshirë në afera do të jepte dorëheqjen ose do të shkarkohej menjëherë, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, reagimi i vetëm i qeverisë është arroganca, sulmi ndaj drejtësisë dhe propaganda.

“Në vend të përgjegjësisë kemi sulme ndaj drejtësisë dhe propagandë boshe. Ky është degjenerim i shtetit, ku pushteti nuk ka më frikë as nga ligji dhe as nga qytetari. Askush nuk largohet, askush nuk mban përgjegjësi, ndërsa dëmi ndaj interesit publik vazhdon,” deklaroi ai.

Në përfundim, Salianji u shpreh se kjo ka qenë filozofia qeverisëse për më shumë se një dekadë dhe se koston e çdo abuzimi po e paguajnë qytetarët shqiptarë. Ai bëri thirrje që opozita të reagojë më fort dhe të veprojë për të ndalur shpërdorimin e fondeve publike dhe kapjen e shtetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related