Thellohen hetimet për dosjen “Balluku”, SPAK mbyll 34 kontrolle, 20 të tjera në proces

Data

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka përfunduar 34 kontrolle në kuadër të hetimeve për dosjen e zv/kryeministres Belinda Balluku, ndërsa pritet që në ditët në vijim të zhvillohen edhe rreth 20 kontrolle të tjera.

Sipas burimeve, shumica e kontrolleve janë ushtruar ndaj stafit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si edhe ndaj punonjësve të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH). Kontrollet janë shtrirë gjithashtu në dy kompani ndërtimi të njohura për fitimin e tenderëve pranë këtyre institucioneve shtetërore.

Operacioni është kryer ekskluzivisht nga agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), pa përfshirjen e Policisë së Shtetit. Në disa raste, efektivë të policisë janë lënë jashtë ambienteve të kontrolluara, pavarësisht se kontrollet janë zhvilluar në zona që bien nën juridiksionin e komisariateve përkatëse.

Burime pranë hetimit bëjnë me dije se kontrollet janë ushtruar jo vetëm në ambientet e punës, por edhe në banesat e disa zyrtarëve dhe drejtuesve të kompanive ndërtuese, përfshirë edhe familjarë të tyre.

Mes personave të cilëve u janë kontrolluar banesat janë: Viola Haxhiademi, ish-sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Infrastrukturës dhe aktualisht drejtoreshë e KESH-it; Gentian Gjyli, ish-drejtor i ARRSH-së; Erald Elezi, ish-drejtor i KESH-it; si dhe Sajmir Kuçi, Marsel Hoxha dhe Jonida Çeço.

Kontrollet janë pjesë e një procesi të zgjeruar hetimor, ku zyrtarja më e lartë nën hetim mbetet zv/kryeministrja Belinda Balluku. SPAK i ka kërkuar Kuvendit heqjen e imunitetit të saj për të vijuar me masat e mëtejshme procedurale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related