Trafiku i rënduar në Unazën e Elbasanit është kthyer tashmë në një problem të përhershëm për qytetin. Radhë të gjata mjetesh, që shtrihen për disa kilometra, janë bërë një pamje e zakonshme sidomos gjatë fundjavave, kur qytetarët lëvizin drejt zonave turistike të juglindjes së vendit.
Në prag të festave të fundvitit, situata është përkeqësuar ndjeshëm, duke e bërë Elbasanin thuajse të pakalueshëm në të gjitha hyrjet dhe daljet e tij. Kthimi i emigrantëve, shtimi i lëvizjeve për festa, si dhe rritja e numrit të automjeteve kanë krijuar një kaos të vërtetë në qarkullimin rrugor.
Mungesa e infrastrukturës së përshtatshme për të përballuar këtë fluks, veçanërisht mungesa e një bypass-i funksional për Elbasanin, si dhe mungesa e rrugëve dytësore për zonat rurale përreth, e përkeqësojnë edhe më shumë situatën.
Në unazën jugore të qytetit përplasen njëkohësisht mjetet që vijnë nga dhjetëra fshatra, automjetet me drejtim Cërrik dhe Gramsh, si dhe fluksi i madh i aksit nacional Elbasan–Qafë Thanë. Ky aks konsiderohet një nga më të ngarkuarit në vend, me mbi 15 mijë mjete që qarkullojnë çdo ditë, pasi lidh juglindjen e Shqipërisë me Tiranën, portin e Durrësit dhe pikat doganore të Qafë Thanës dhe Kapshticës.
Sipas specialistëve, nëse kthimi i emigrantëve do të ndodhte i përqendruar në një periudhë shumë të shkurtër kohore, rrugët aktuale të vendit do të ishin të pamjaftueshme për të përballuar fluksin.
Nevoja për një zgjidhje të qëndrueshme, përfshirë ndërtimin e bypass-it të Elbasanit, konsiderohet emergjente, ndërsa aktualisht mbetet vetëm në fazë projekti.
