Berisha: Lufta kundër korrupsionit garantohet kur kryeministri nuk është i korruptuar. Në qeverisjen tonë, asnjë ministër nuk u mbrojt nga drejtësia

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se lufta reale kundër korrupsionit garantohet vetëm atëherë kur kryeministri është i pakorruptuar dhe respekton ligjin pa dallime. Gjatë fjalës së mbajtur në takimin me demokratët në Manzë, Berisha theksoi se gjatë qeverisjes së tij asnjë ministër nuk u mbrojt nga drejtësia dhe se çdo kërkesë e prokurorisë për heqje imuniteti është zbatuar pa pengesa.

Ai nënvizoi se Partia Demokratike ka qëndruar e fortë edhe pas 12 vitesh në opozitë, pikërisht për shkak të respektimit të parimeve të ligjit, moralit dhe përgjegjësisë ndaj qytetarëve.

“Ne jemi në opozitë prej 12 vitesh. Askush nga ne nuk ka marrë ndonjë favor. Përkundrazi, shumë njerëz janë ndëshkuar vetëm pse janë afruar me ne. Megjithatë, ne kemi mbetur të fortë. Pse? Sepse kemi pranuar gabimet tona, kemi kërkuar ndjesë dhe i kemi korrigjuar ato”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, korrupsioni ekziston kudo, por ndryshimi qëndron te qëndrimi i kreut të qeverisë. “Aty ku kryeministri dhe presidenti janë të pakorruptuar, lufta kundër korrupsionit është e garantuar. Gjatë qeverisjes sonë nuk ka ndodhur kurrë që kryeministri të bllokonte drejtësinë për një ministër. Çdo imunitet i kërkuar është vetëdorëzuar”, tha ai.

Berisha iu referua edhe ngjarjeve të vitit 2011, duke theksuar se standardi i atëhershëm ishte dorëheqja dhe përballja me drejtësinë, pa justifikime dhe pa mburoja politike. Sipas tij, ky standard mungon sot, ndërsa qeveria aktuale, sipas Berishës, ndërhyn në drejtësi dhe mbron korrupsionin sistemik.

Ai shtoi se gjatë qeverisjes së tij numri i zyrtarëve të dënuar për korrupsion ishte disa herë më i lartë se sot, duke theksuar se ligji u zbatua pa dallim dhe se ministrat u hoqën nga proceset e tenderimit që në javët e para të qeverisjes.

“Nuk kemi qenë të përsosur, por nuk i kemi tradhtuar parimet e moralit, ligjit dhe nderit. Kjo është arsyeja pse Partia Demokratike mbetet sot një nga forcat politike më të qëndrueshme në vend”, deklaroi Berisha.

Në përfundim, ai theksoi se mbështetja ndaj Partisë Demokratike vjen nga qytetarët dhe se opozita mbetet e vendosur për të larguar qeverinë aktuale, duke premtuar rikthimin e shtetit ligjor dhe luftën reale kundër korrupsionit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related