“Dezinformim, manipulim dhe përmbajtje të krijuara me AI” – Sulmet digjitale në 2025 më të sofistikuara dhe të organizuara

Data

Sulmet digjitale në Shqipëri janë bërë dukshëm më të sofistikuara gjatë vitit 2025, duke paraqitur rreziqe serioze për sigurinë e të dhënave, integritetin e proceseve demokratike dhe lirinë e shprehjes. Një monitorim njëvjeçar evidenton se hapësira digjitale është shndërruar në një terren gjithnjë e më problematik, ku përmbajtjet e dëmshme, kërcënimet online dhe shkeljet e të drejtave digjitale janë në rritje.

Gjatë periudhës shtator 2024 – gusht 2025 janë identifikuar mbi 100 raste shkeljesh digjitale. Më të prekura kanë qenë qytetarët, aktivistët dhe gazetarët, ndërsa autorët e shumicës së sulmeve mbeten të paidentifikuar. Sulmet më shqetësuese lidhen me infrastrukturat kritike, dezinformimin zgjedhor, mashtrimet financiare online dhe kërcënimet ndaj figurave publike.

Kalimi masiv i shërbimeve publike në platforma digjitale ka sjellë lehtësi për qytetarët, por njëkohësisht ka rritur ndjeshëm rrezikun e ekspozimit të të dhënave personale. Sulmet kibernetike ndaj institucioneve publike kanë dëshmuar se siguria digjitale mbetet e brishtë, me pasoja të drejtpërdrejta për mijëra qytetarë.

Një tjetër fenomen shqetësues gjatë vitit 2025 ka qenë përhapja e dezinformimit gjatë fushatës zgjedhore. Përmbajtjet e gjeneruara me inteligjencë artificiale, pa transparencë apo etiketime, janë përdorur gjerësisht për manipulim politik, bullizëm kibernetik dhe sulme ndaj kundërshtarëve. Dhjetëra faqe anonime janë shfrytëzuar për propagandë, duke cenuar standardet etike të komunikimit online.

Po ashtu, mashtrimet financiare dhe sulmet “phishing” janë bërë gjithnjë e më të vështira për t’u dalluar, pasi imitojnë komunikime zyrtare të institucioneve apo kompanive private. Këto skema kanë ndikuar drejtpërdrejt në sigurinë financiare të qytetarëve dhe kanë rritur rrezikun e keqpërdorimit të të dhënave personale.

Aktivistët, gazetarët dhe grupet vulnerabël kanë qenë gjithashtu në shënjestër të kërcënimeve, fushatave të linçimit dhe bullizmit online, duke krijuar një klimë frike që nxit vetëcensurën dhe dekurajon pjesëmarrjen qytetare në jetën publike.

Ekspertët theksojnë se ndërgjegjësimi i qytetarëve, forcimi i kapaciteteve të mbrojtjes kibernetike dhe përmirësimi i legjislacionit janë hapa kyç për përballimin e këtij realiteti. Pa masa konkrete dhe koordinim institucional, sulmet digjitale rrezikojnë të minojnë seriozisht demokracinë, sigurinë dhe besimin publik në Shqipëri.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related