Gjatë periudhës së festave është shënuar një rritje e rasteve me viroza në të gjithë vendin, duke sjellë fluks më të lartë pacientësh në qendrat shëndetësore dhe spitale. Megjithatë, sipas mjekëve, situata mbetet nën kontroll dhe nuk paraqitet alarmante.
Virozat e rrugëve të sipërme dhe të poshtme të frymëmarrjes janë më të shpeshtat në këtë periudhë, veçanërisht te fëmijët dhe të moshuarit. Bluzat e bardha theksojnë se një nga problemet kryesore mbetet përdorimi i pakontrolluar i antibiotikëve, duke apeluar që ato të mos merren pa konsultë me mjekun specialist.
Mjekët nënvizojnë se antibiotikët nuk kurojnë virozat dhe përdorimi i tyre pa rekomandim mjekësor mund të sjellë pasoja serioze për shëndetin, veçanërisht te fëmijët. Çdo trajtim duhet të përcaktohet vetëm nga specialisti, në bazë të diagnozës.
Fluksi i virozave është i pranishëm në të gjithë vendin. Vetëm në pediatrinë e Vlorës kryhen rreth 40 vizita në ditë, ndërsa rreth 30 fëmijë janë aktualisht të shtruar në spital për shkak të komplikacioneve. Sipas mjekëve, pritet që numri i rasteve të rritet edhe më shumë në ditët në vijim.
Për të parandaluar përhapjen e virozave, mjekët këshillojnë higjienë të shtuar, shmangie të ambienteve të mbipopulluara, ushqyerje të shëndetshme dhe konsultë të menjëhershme mjekësore në rast përkeqësimi të simptomave.
