Pesë deputetët e Partisë Demokratike, anëtarë të Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, i janë drejtuar me një shkresë zyrtare kryetarit të Kuvendit, duke kërkuar mbledhjen e menjëhershme të Këshillit për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e zv/kryeministres Belinda Balluku.
Sipas deputetëve demokratë, ka kaluar kohë e mjaftueshme që anëtarët e Këshillit të njihen me provat e dosjes voluminoze të Prokurorisë së Posaçme, e cila përmban mbi 10 mijë faqe materiale hetimore. Ata theksojnë se një javë është mëse e mjaftueshme për shqyrtimin paraprak të kërkesës dhe se çdo vonesë përbën pengesë për drejtësinë.
Kjo është kërkesa e dytë që deputetët e opozitës i drejtojnë kryetarit të Kuvendit për të thirrur Këshillin e Mandateve, ndërsa theksojnë se Kuvendi ka detyrim kushtetues të shqyrtojë pa vonesë kërkesat e drejtësisë.
Nga ana tjetër, përfaqësues të mazhorancës socialiste kanë deklaruar se shqyrtimi i kërkesës së SPAK nuk do të bëhet përpara se Gjykata Kushtetuese të shprehet lidhur me çështjen e pezullimit të një anëtari të qeverisë. Ky qëndrim është kundërshtuar nga opozita, e cila e konsideron atë një tentativë për zvarritje të procesit dhe mbrojtje politike të një zyrtareje të lartë nën hetim.
Debati pritet të përshkallëzohet në ditët në vijim, ndërsa presioni politik dhe institucional mbi Kuvendin për të vepruar mbetet i lartë.
