Trafik droge dhe armësh/ 7 shqiptarë dërgohen direkt në burgun e mbipopulluar: “Nuk ka as dyshekë”

Data

Shtatë shtetas shqiptarë janë dërguar menjëherë në burg në Belgjikë, pasi u dënuan me deri në 10 vite burg për trafik droge dhe armësh. Vendimi u dha mëngjesin e së martës nga Gjykata e Antverpës, e cila urdhëroi arrestimin e menjëhershëm të tyre për shkak të rrezikut të arratisjes dhe përsëritjes së veprës penale.

Disa prej të dënuarve ndodheshin në arrest shtëpie me byzylyk elektronik dhe u prangosën direkt në sallën e gjyqit. Ata u transferuan në burgun e Begijnenstraat, i cili përballet me mbipopullim të rëndë, ku aktualisht 59 të burgosur flenë mbi dyshekë në tokë, për shkak të mungesës së vendeve.

Gjykata shpalli vendimin për një bandë shqiptare që operonte në fushën e tregtisë së drogës dhe armëve, me bazë një kafene në lagjen Seefhoek të Antverpës. Aktiviteti kriminal u dokumentua falë punës së dy policëve të infiltruar, të cilët vepruan për një periudhë të gjatë brenda grupit.

Në total, 14 persona u shpallën fajtorë dhe u dënuan me dënime të rënda me burg. Krerët e grupit, mes tyre edhe pronari i kafenesë ku zhvillohej aktiviteti kriminal, u dënuan me 8 deri në 10 vite burg, ndërsa të pandehurit e tjerë me 5 deri në 7 vite burg.

Pas shpalljes së vendimit, prokuroria kërkoi arrestimin e menjëhershëm të shtatë prej tyre. Avokatët mbrojtës kundërshtuan, duke theksuar se shumica e të dënuarve jetojnë prej vitesh ligjërisht në Belgjikë dhe ngritën shqetësime serioze për kushtet e rënda në burgje.

Një nga avokatët deklaroi në sallën e gjyqit se situata në burgjet belge është alarmante:

“Po mbarojnë edhe dyshekët për ata që flenë në tokë”.

Megjithatë, gjykata nuk e mori parasysh gjendjen e mbipopullimit në burgje dhe urdhëroi ekzekutimin e menjëhershëm të dënimit për shtatë nga të dënuarit.

Disa avokatë kanë bërë të ditur se do të apelojnë vendimin dhe do të paraqesin kërkesa për lirimin e klientëve të tyre, ndërsa çështja pritet të vijojë në shkallë më të larta të gjyqësorit belg.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related