Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka komunikuar zyrtarisht akuzat ndaj dy ish-prokurorëve të Sarandës, Kledian Llaho dhe Çlirim Shahini, të cilët janë marrë të pandehur për një rast të rëndë korrupsioni që lidhet me manipulimin e masave të sigurisë kundrejt pagesave monetare.
Hetimi i SPAK është fokusuar në një episod konkret, ku dy ish-zyrtarët e drejtësisë dyshohet se i kanë kërkuar dhe marrë 55 mijë euro shtetasit Pando Papuçi, i pandehur për ndërtim pa leje, me qëllim lehtësimin e masës së sigurisë dhe shmangien e qëndrimit në burg.
Sipas dosjes hetimore, Kledian Llaho akuzohet për veprën penale “korrupsion pasiv i funksionarëve të drejtësisë”, ndërsa Çlirim Shahini, i cili aktualisht ushtron profesionin e avokatit, akuzohet për “ushtrim të ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”.
Hetimi nisi pas kallëzimit të vetë Papuçit, i cili ka deklaruar se fillimisht ka paguar 30 mijë euro përmes një ndërmjetësi, biznesmenit Vasil Bakalli. Ky i fundit dyshohet se ka vepruar si sekser mes prokurorëve dhe personave nën hetim. Paratë, sipas SPAK, janë siguruar në Greqi dhe më pas i janë dorëzuar Kledian Llahos.
Pas kësaj pagese, me një vendim të marrë brenda një kohe shumë të shkurtër nga gjyqtarja Edona Vajushi, masa e sigurisë ndaj Papuçit u ndryshua nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.
Më pas, sipas hetimeve, Çlirim Shahini ka marrë edhe 25 mijë euro të tjera nga Papuçi për të ndërhyrë sërish në proces, duke kërkuar zbutjen e mëtejshme të masës në “detyrim paraqitjeje”, kërkesë që u pranua nga gjykata.
SPAK e cilëson këtë rast si një skemë të mirëorganizuar korrupsioni në zemër të sistemit të drejtësisë lokale, ku masat e sigurisë dyshohet se janë trajtuar si pazare financiare.
Ironikisht, në gusht të këtij viti, Gjykata e Apelit rrëzoi çështjen penale ndaj Pando Papuçit, duke arritur në përfundimin se ai nuk kishte konsumuar vepër penale për ndërtim pa leje.
Po në të njëjtin muaj, Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra prokurorin Kledian Llaho për pasaktësi dhe kontradikta në deklarimin e pasurisë, si edhe për mangësi profesionale.
Tashmë, dy ish-prokurorët do të përballen me drejtësinë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndërsa rasti ka ngritur sërish shqetësime të forta mbi besimin e publikut te sistemi i drejtësisë dhe funksionimin real të reformës në drejtësi.
