Protesta kombëtare e opozitës e mbajtur mbrëmjen e djeshme (22 dhjetor) në bulevardin përpara Kryeministrisë ka prodhuar reagime të shumta, jo vetëm nga politika, por edhe nga analistë dhe gazetarë.
Një nga zhvillimet që tërhoqi vëmendje pas protestës ishte lajmi se ish-deputeti Ervin Salianji ishte hequr nga grupi i WhatsApp-it i kryesisë së Partisë Demokratike. Ky fakt u komentua gjerësisht, pasi Salianji ishte i pranishëm në protestë dhe kishte deklaruar publikisht se do të vijonte të ishte pjesë e PD-së, pavarësisht qëndrimeve nga selia blu.
Kreu i PD-së, Sali Berisha, kishte deklaruar më herët se Salianji ishte “vetëpërjashtuar”, ndërsa nuk ekziston një vendim i shkruar për përjashtimin e tij nga strukturat e partisë.
Ironia e Lutfi Dervishit
Mes zërave kritikë që reaguan për këtë situatë ishte edhe gazetari dhe analisti Lutfi Dervishi. Në një postim ironik në rrjetet sociale, ai shkroi:
“U nisën të heqin Ramën, por si fillim hoqën Salianjin nga… grupi i WhatsApp!”
Komenti u shpërnda gjerësisht dhe u interpretua si kritikë ndaj kontrastit mes objektivave madhore të shpallura nga opozita dhe zhvillimeve të brendshme brenda saj.
Çfarë kërkon opozita
Partia Demokratike ka paralajmëruar një fazë të re protestash kombëtare, pas hetimeve të SPAK, akuzave për korrupsion në tendera dhe çështjeve që lidhen me Tunelin e Llogarasë, Unazën e Re dhe dosjen e AKSHI-t.
Opozita kërkon:
- dorëheqjen e qeverisë Rama
- heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut
- krijimin e një qeverie teknike
- zhvillimin e zgjedhjeve të reja
