“Ja vdekje, ja liri!” – Berisha: Rama po mbron Ballukun dhe kërkon të shuajë opozitën

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Shqipëria ndodhet përballë një përplasjeje vendimtare politike dhe morale, duke e cilësuar situatën aktuale si një betejë “jetë a vdekje” për demokracinë dhe opozitën.

Në një konferencë për shtyp pas protestës kombëtare të mbajtur mbrëmjen e kaluar para Kryeministrisë, Berisha tha se zhvillimet e fundit kanë nxjerrë në pah, sipas tij, lidhjet e pushtetit me krimin dhe përpjekjet për të penguar drejtësinë.

“Çdo qytetar i ndershëm, pavarësisht bindjeve politike, e ka të qartë se sot kemi të bëjmë me një përballje jetë a vdekje. Faktet po dalin dhe po vërtetojnë atë që ne kemi denoncuar prej kohësh”, u shpreh Berisha.

Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se po refuzon të heqë imunitetin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke pretenduar se kjo bëhet për të mbrojtur veten dhe për të zvarritur hetimet.

“Rama po blen kohë për vepra të zeza. Ai është i gatshëm të ndryshojë ligje dhe rregullore për të nxjerrë gjithçka jashtë përgjegjësisë ligjore. Kjo do të ishte asgjësimi politik i opozitës”, tha kryedemokrati.

Berisha theksoi se opozita nuk mund dhe nuk do të shuhet, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për ta neutralizuar do të sillte pasoja të rënda për vendin.

“Opozita nuk mund të shuhet. Po u shua opozita, është fundi. Rama mendon se mund të përdorë mandatet si marioneta të krimit, por gabohet rëndë”, deklaroi ai.

Në fund të fjalës së tij, Berisha u bëri thirrje mbështetësve të opozitës që të qëndrojnë të bashkuar dhe të përqafojnë moton që, sipas tij, ka sjellë gjithmonë fitore.

“Kjo betejë është ‘ja të vdesim, ja të rrojmë për liri’. Sa herë opozita i është përmbajtur kësaj motoje, ka fituar. Beteja jonë do të vazhdojë”, përfundoi Berisha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related