Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, mbajti një fjalim të ashpër gjatë protestës së opozitës, duke akuzuar qeverinë për lidhje të drejtpërdrejta me krimin e organizuar dhe për grabitje sistematike të pasurive publike.
Sipas Balliut, drejtuesit e qeverisë janë sot më të frikësuar se kurrë, pasi po përballen me pasojat e krimeve të tyre dhe janë futur në një garë të brendshme për të shpëtuar veten.
“Bandat në pushtet fshihen si struci. Sot janë në garë kush t’ia fusë njëri-tjetrit”, u shpreh Balliu.
Ai theksoi se për 12 vite me radhë opozita ka denoncuar ekzistencën e një narkopushteti që ka vjedhur çdo ditë dhe ka varfëruar qytetarët shqiptarë, ndërsa ka pasuruar një grusht pushtetarësh.
“Sot nuk ka ilaçe në spitale, ndërsa njerëz të lidhur me pushtetin mbajnë miliona euro pasuri luksoze në shtëpitë e tyre. Të rinjtë largohen sepse nuk blejnë dot një shtëpi, ndërsa zyrtarë të lartë grumbullojnë apartamente, jahte dhe pasuri marramendëse”, deklaroi deputeti.
Balliu ngriti pyetjen se nga kanë ardhur këto pasuri, duke theksuar se ato janë krijuar nga paratë e qytetarëve shqiptarë dhe nga korrupsioni i lidhur me krimin.
“Kur një shtet bie në duart e bandave, biznesmenët merren peng, administrata kërcënohet dhe votat blihen me paratë e drogës”, tha ai, duke shtuar se tashmë jo vetëm opozita, por edhe institucionet ndërkombëtare po e denoncojnë këtë realitet.
Në përfundim, Balliu kërkoi arrestimin e zyrtarëve të përfshirë në afera korruptive dhe konfiskimin e pasurive të tyre, duke e cilësuar këtë si rrugën e vetme për t’i kthyer drejtësinë qytetarëve.
