“Tenderi dyfishohet për ryshfet!” – Bardhi nxjerr dosjen e AKSHI-t: Skema kriminale për të vjedhur miliona euro dhe bisedat e Agasit që fundosin qeverinë

Data

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka publikuar pjesë tronditëse nga dosja hetimore e AKSHI-t, ku zbardhet skema e dyshuar kriminale për paracaktimin e fituesve të tenderëve dhe zhvatjen e fondeve publike në shkallë masive.

Sipas materialeve të bëra publike, drejtues dhe biznesmenë të lidhur me Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit kanë vepruar si grup i strukturuar kriminal, duke manipuluar procedurat e prokurimit dhe duke dyfishuar fondet limit për të përfituar ryshfete nga buxheti i shtetit.

Në dosje përfshihen drejtues të AKSHI-t, biznesmenë dhe funksionarë të tjerë shtetërorë, ndaj të cilëve janë vendosur masa sigurie. Dy prej biznesmenëve kryesorë rezultojnë në kërkim, ndërsa hetimi i SPAK i cilëson veprimet e tyre si të organizuara, të qëllimshme dhe të koordinuara.

“Projekti bën 2 milionë, ne e bëjmë 4”

Në bisedat e zbardhura nga hetimi, një prej personave kryesorë në këtë skemë dëgjohet të shprehet qartë për mënyrën e fryrjes së fondeve publike:

“Projekti bën 2 milionë, ne do ta bëjmë 4”.

Në një tjetër komunikim, ai thotë:

“Do t’ia them Kapos… ai e ka gjithë një raport”, duke lënë të kuptohet se skema ishte e njohur dhe e mbështetur në nivele të larta.

Faturime fiktive dhe kompani fantazmë

Sipas dosjes hetimore, një kompani kryesore ka kryer faturime fiktive në vlera dhjetëra milionë euro ndaj disa subjekteve të tjera, me qëllim nxjerrjen e parave nga tenderët e paracaktuar. Hetimet tregojnë se kjo kompani nuk kishte ambiente reale pune, nuk ushtronte aktivitet të vërtetë dhe përdorte punonjës të rekrutuar nga kompani të tjera, ndërsa administratorja formale nuk kishte dijeni për aktivitetin që zhvillohej në emrin e saj.

SPAK konkludon se i gjithë aktiviteti drejtohej nga disa individë konkretë, me qëllimin final përfitimin e paligjshëm të fondeve publike nga kontratat me AKSHI-n.

Skemë frike dhe dhune ndaj konkurrentëve

Dosja përshkruan edhe mënyrën se si operatorët ekonomikë të padëshiruar përjashtoheshin nga garat. Kriteret e tenderëve vendoseshin në mënyrë të tillë që të skualifikonin konkurentët realë, ndërsa fituesi ishte i paracaktuar. Në raste kur kompani të skualifikuara ankimonin procedurat, sipas hetimit janë përdorur kërcënime, presion dhe madje edhe heqje e paligjshme e lirisë për t’i detyruar të tërhiqeshin.

Sekuestrime dhe prova filmike

Gjatë kontrolleve në banesa dhe biznese janë sekuestruar telefona, kompjuterë, kamera dhe dokumente. Nga ekspertimi i pajisjeve elektronike janë zbuluar pamje filmike dhe komunikime që konsiderohen me interes të lartë për hetimin dhe që po analizohen nga prokuroria.

“30 milionë euro për 9 muaj”

Sipas deklarimeve të Bardhit, vetëm për një periudhë 9-mujore, përmes kësaj skeme janë përfituar mbi 30 milionë euro nga fondet e AKSHI-t, për një tender sekret me fond limit rreth 60 milionë euro.

Ai e cilëson këtë jo thjesht si vjedhje, por si shkatërrim të qëllimshëm të buxhetit të shtetit, duke theksuar se këto para janë arsyeja pse mungojnë fondet për pensione, paga, ndihmë sociale dhe shpërblime për punonjësit e shtetit.

Sipas opozitës, dosja e AKSHI-t provon se korrupsioni nuk është rast i izoluar, por një skemë qeverisëse e ndërtuar mbi paracaktim tenderësh, fryrje fondesh dhe ndarje parash, ndërsa drejtësia po afrohet gjithnjë e më shumë te përgjegjësit realë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related