“Me votën tonë t’ju tregojmë vendin” – Agron Shehaj: Po pengohet arrestimi i Belinda Ballukut, duhen zgjedhje të parakohshme

Data

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, deklaroi sot se Shqipëria duhet të shkojë drejt zgjedhjeve të parakohshme, duke argumentuar se qeveria aktuale ka humbur çdo legjitimitet politik.

Sipas Shehajt, vendimi i mazhorancës për të bllokuar arrestimin e Belinda Ballukut, në një kohë kur drejtësia po heton raste korrupsioni në nivelet më të larta, përbën një mbrojtje të hapur të korrupsionit dhe një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në proceset e drejtësisë.

“Është e qartë që pas vendimit të mazhorancës për të ndaluar arrestimin e Belinda Ballukut duhet të shkojmë në zgjedhje të parakohshme. Nuk ka më asnjë kuptim që, ndërkohë që drejtësia po heton dhe kërkon arrestimin e të korruptuarve, mazhoranca i merr në mbrojtje”, u shpreh Shehaj.

Ai theksoi se kjo mazhorancë nuk ka më legjitimitet për të qëndruar në pushtet dhe se qytetarëve duhet t’u jepet mundësia të vendosin me votë mes një drejtësie reale dhe një pushteti që, sipas tij, është i zhytur në korrupsion.

“Duhet që qytetarët shqiptarë të zgjedhin nëse kemi të bëjmë me një grusht shteti nga ana e drejtësisë, siç pretendon Edi Rama, apo me një drejtësi të vërtetë. Këtë mund ta vendosin vetëm qytetarët shqiptarë”, tha ai.

Në përfundim, Shehaj e cilësoi situatën aktuale si një moment historik për vendin dhe bëri thirrje për mobilizim qytetar.

“Duhen zgjedhje të parakohshme. Duhet të bëhemi gati për zgjedhje të parakohshme. Më në fund edhe në Shqipëri ka drejtësi dhe të korruptuarit po dalin para saj. Me votën tonë t’ju tregojmë vendin”, përfundoi ai.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related