Teliti: Buxheti i Tiranës 2026 shkon për propagandë dhe klientelë, u rrëzuan 29 propozime në favor të qytetarëve

Data

Mazhoranca në Këshillin Bashkiak të Tiranës ka miratuar projektbuxhetin e vitit 2026, duke rrëzuar 29 amendamente të propozuara nga opozita, të cilat synonin uljen e taksave dhe rritjen e mbështetjes për qytetarët dhe bizneset e kryeqytetit.

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak, Dorian Teliti, e cilësoi procesin si një akt arrogant dhe antidemokratik, duke theksuar se shumica e majtë refuzoi të fuste në votim çdo propozim të opozitës, pavarësisht se ato ishin ndërtuar mbi nevojat reale të qytetarëve.

Sipas Telitit, amendamentet e paraqitura kishin si qëllim lehtësimin e barrës fiskale dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Mes propozimeve të rrëzuara ishin ulja me 30% e taksës së pronës, përgjysmimi i tarifës së pastrimit për familjet dhe bizneset, si dhe ulja e tarifave të parkimit. Po ashtu, opozita kishte kërkuar uljen e taksës së ndikimit në infrastrukturë për ndërtimet e reja, masë që sipas saj do të ndihmonte çiftet e reja për të përballuar çmimet e larta të banesave.

Mazhoranca, sipas Telitit, refuzoi gjithashtu propozime që lidhen me shërbimet sociale dhe arsimin, përfshirë çerdhe dhe kopshte falas, subvencionimin e ushqimit për nxënësit, kompensimin e çmimit të ujit deri në furnizimin 24 orë, si dhe mbështetje direkte për fermerët e zonës së Tiranës.

Opozita kishte kërkuar edhe ndalimin e pagesave për shërbime që, sipas saj, nuk ekzistojnë, përfshirë inceneratorin, si dhe uljen e shpenzimeve administrative dhe të fondeve për marketing dhe evente propagandistike. Sipas Telitit, këto fonde mund të ridrejtoheshin drejt shërbimeve sociale, qendrave komunitare dhe mbështetjes për të moshuarit, por të gjitha propozimet u rrëzuan pa argumentim.

Teliti e përshkroi buxhetin prej mbi 400 milionë eurosh për vitin 2026 si një buxhet që nuk adreson problemet reale të qytetit dhe që, sipas tij, shërben kryesisht për propagandë dhe klientelizëm. Ai theksoi se ky vendim rëndon më tej qytetarët dhe bizneset dhe nuk ofron zgjidhje për sfidat ekonomike dhe sociale të Tiranës.

Në përfundim, Teliti u bëri thirrje qytetarëve që të reagojnë dhe të bashkohen në protestën e 22 dhjetorit, duke kërkuar një qeverisje vendore që, sipas tij, punon në interes të njerëzve dhe jo të pushtetit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related