Adriatik Lapaj shpërthen ndaj Ballukut: 50 milionë euro u dhanë me një sms, shqiptarët po vuajnë nën një regjim hajdut

Data

Lëvizja “Shqipëria Bëhet”, e drejtuar nga adriatik lapaj, ka vijuar protestën para Kryeministrisë, ku prej rreth një jave ai dhe mbështetësit e tij qëndrojnë ditë e natë në shenjë kundërshtimi ndaj qeverisë.

Gjatë fjalës së tij, lapaj hodhi akuza të forta ndaj zëvendëskryeministres belinda balluku, duke deklaruar se 50 milionë euro janë dhënë “me një sms”, në një rast që ai e lidhi me abuzime të rënda financiare, përfshirë projektin e Tunelit të Llogarasë.

Lapaj ftoi qytetarët dhe veçanërisht diasporën shqiptare që të bashkohen në protestë, duke e cilësuar momentin aktual si vendimtar për të ardhmen e vendit. Sipas tij, shqiptarët po vuajnë pasojat e një regjimi që ai e quajti “hajdut”, ndërsa qytetarët përballen me varfëri, mungesë shërbimesh dhe pamundësi për të siguruar trajtime shëndetësore.

Ai vlerësoi publikisht prokurorët e SPAK, duke thënë se po përballen me një “kancer malinj” të korrupsionit në nivelet më të larta të pushtetit. Lapaj theksoi se ata funksionarë të drejtësisë meritojnë mbështetje, pasi po përballen me presione të mëdha dhe një sistem të kalbur.

Në deklaratën e tij, lapaj u shpreh se nuk trembet nga procedimet penale dhe se beteja e tij është për qytetarët që vuajnë çdo ditë, për familjet që përballen me sëmundje të rënda dhe mungesë ilaçesh, si dhe për të rinjtë që po largohen nga vendi.

Ai i dërgoi një mesazh të drejtpërdrejtë kryeministrit, duke deklaruar se çdo veprim ndaj tij dhe lëvizjes që ai përfaqëson do të përbëjë, sipas tij, një konflikt të hapur dhe të drejtpërdrejtë. Në përfundim, lapaj përsëriti thirrjen për diasporën që të angazhohet, duke e cilësuar këtë si “kohën për të çliruar mëmëdheun”.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related