Deputetja e partisë demokratike ka reaguar ashpër ndaj projektligjit të qeverisë për kontrollin e investimeve të huaja, duke e cilësuar atë të vonuar, të cunguar dhe pa garanci reale për sigurinë kombëtare apo përputhjen me standardet europiane.
Ajo deklaroi se më herët ka depozituar në kuvend një ligj të plotë për kontrollin e investimeve të huaja direkte, të hartuar me mbështetjen e ekspertizës amerikane dhe europiane, por që u rrëzua nga mazhoranca. Sipas saj, qeveria po rikthehet tani me një version të dobët të të njëjtit ligj, vetëm pasi aferat e korrupsionit kanë nxjerrë në pah rrezikun real të mungesës së filtrave seriozë.
Deputetja theksoi se problemi kryesor qëndron te fakti se analiza e sigurisë së investitorëve të huaj i lihet vetë qeverisë, një qasje që ajo e cilësoi thellësisht problematike në kushtet kur institucione shtetërore janë vënë në qendër të akuzave publike për abuzime dhe korrupsion.
Një tjetër shqetësim i ngritur është përjashtimi nga ligji i sektorëve jetikë për sigurinë kombëtare, si infrastruktura kritike, energjia, teknologjia e informacionit dhe projektet smart city. Sipas saj, pa një analizë të pavarur dhe të thelluar, nuk ka asnjë garanci se investitorët, nënkontraktorët apo burimet e financimit në këto fusha vijnë nga interesa të sigurta dhe të besueshme.
Ajo paralajmëroi se struktura të akuzuara për korrupsion, të cilat sot administrojnë të dhëna sensitive të qytetarëve, mund të përfshihen nesër edhe në projekte që lidhen drejtpërdrejt me sigurinë publike, duke shtuar rrezikun për abuzim dhe mungesë kontrolli.
Në përfundim, deputetja theksoi se ky nuk është thjesht një ligj formal për integrimin europian, por një çështje standardesh, normash dhe vlerash, duke nënvizuar se vendi ka nevojë për një ligj serioz dhe gjithëpërfshirës për kontrollin e investimeve të huaja, e jo për zgjidhje gjysmake që cenojnë sigurinë kombëtare dhe besimin e partnerëve ndërkombëtarë.
