“Dil nga zyra dhe jep dorëheqjen!” – Partia “Mundësia” në protestë me pankarta dhe tymuese kundër Ballukut para Kuvendit

Data

Tensioni politik dhe qytetar para Kryesisë së Kuvendit ka njohur një tjetër kulm këtë paradite, teksa partia “Mundësia” ka dalë në protestë kundër zëvendëskryeministres Belinda Balluku, e cila është e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tendera.

Me pankarta, thirrje të forta dhe tymuese, protestuesit kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të Ballukut, duke e lidhur çështjen drejtpërdrejt me standardet e drejtësisë dhe integrimin europian të vendit. Mesazhet kryesore të pankartave ishin:

  • “Dil nga zyra dhe jep dorëheqjen”
  • “Pa drejtësi nuk ka BE”
  • “Jo shtetit që të merr peng”

Protesta zhvillohet në të njëjtën kohë kur brenda Kryesisë së Kuvendit po vijon mbledhja e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku po shqyrtohet kërkesa e SPAK për heqjen e imunitetit parlamentar të Belinda Ballukut. Ky vendim pritet t’i hapë rrugë masave të mëtejshme penale ndaj saj.

Përfaqësuesit dhe mbështetësit e partisë “Mundësia” kanë theksuar se një zyrtare e lartë e pandehur nuk mund të vazhdojë të qëndrojë në detyrë, duke e cilësuar këtë si pengesë për drejtësinë dhe për rrugën europiane të Shqipërisë.

Protesta e sotme i shtohet presionit të fortë publik dhe politik mbi institucionet, ndërsa vendimmarrja e Kuvendit për imunitetin e Ballukut po shihet si një provë reale për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe besueshmërinë e reformës në drejtësi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related