FIFA ka zyrtarizuar axhendën e një prej përballjeve më të shumëpritura të futbollit botëror. Argjentina dhe Spanja do të ndeshen të premten, më 27 mars, në sfidën për trofeun e “Finalissima”, duel që do të zhvillohet në stadiumin “Lusail” të Dohas, me fillim në orën 21:00.
Përballja rikthen konceptin e finales mes kampiones së Europës dhe fitueses së Copa America, duke i dhënë ndeshjes një peshë të veçantë sportive dhe simbolike. Interesi është maksimal, pasi në fushë pritet të jenë Lionel Mesi dhe Lamine Jamal, dy figura që përfaqësojnë dy breza të ndryshëm të futbollit botëror.
Katari, i cili mirëpriti edhe finalen e Kupës së Botës 2022, do të jetë sërish skena e një ngjarjeje globale. Përballë do të jenë dy kombëtare me ADN fituese dhe me ambicie të qarta, teksa kjo sfidë shihet edhe si një paradhomë e rivalitetit për Botërorin 2026, ku të dyja ekipet konsiderohen pretendente serioze.
“Finalissima” premton spektakël, histori dhe emocione, me sytë e gjithë botës të kthyer nga Lusail.
