Berisha pa frena në Kuvend: “Zogu i Ballukut je edhe ti! Dorëzoni Agasin, mos prekni deputetët”

Data

Seanca plenare e kësaj të enjteje në Kuvend u shndërrua në një arenë tensioni dhe përplasjeje të fortë politike, pasi deputetët e Partisë Demokratike zunë karriget e ministrave si akt proteste ndaj qeverisë dhe skandaleve të fundit të lidhura me dosjen e AKSHI-t dhe çështjen Balluku.

Situata u përshkallëzua më tej kur Garda e Republikës rrethoi deputetët e opozitës dhe tentoi t’i largojë nga vendet e zëna, duke shkaktuar reagime të ashpra nga opozita. Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, reagoi menjëherë me tone të forta, duke e cilësuar ndërhyrjen e Gardës si një akt të papranueshëm dhe të turpshëm.

“Ndaloni! Larg duart nga deputetët! Prekja e deputetëve është akt kriminal”, deklaroi Berisha, teksa akuzoi mazhorancën se po përdor forcën për të mbuluar skandalet.

Në fjalën e tij, Berisha sulmoi drejtpërdrejt ministrin e Mbrojtjes Pirro Vengu, duke e quajtur atë “zogu i Belinda Ballukut”, në referencë të dosjeve të fundit hetimore dhe akuzave të ngritura nga SPAK.

“Zogu i Belindës je edhe ti! Ike dhe ti, e ke gati! Ke dy, jo një”, u shpreh Berisha nga salla e Kuvendit, duke e akuzuar qeverinë për mbrojtje të zyrtarëve të përfshirë në afera.

Kreu i PD-së kërkoi me insistim dorëzimin dhe arrestimin e Ergys Agasit, të cilin e cilësoi si pengmarrës dhe pjesë të një strukture kriminale, duke iu referuar dosjes së AKSHI-t.

“Dorëzoni Ergys Agasin! Silleni këtu pengmarrësin, terroristin! Mos u merrni me deputetët, merruni me krimin”, deklaroi Berisha, ndërsa akuzoi mazhorancën për përpjekje për të intimiduar opozitën dhe për të shmangur përgjegjësinë penale.

Ndërkohë, edhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, reagoi ashpër duke akuzuar Gardën dhe mazhorancën për zbatim urdhrash kriminalë.

“Këtu nuk jepen urdhra nga Suel Çela! Kjo është shtëpia e popullit”, u shpreh Bardhi me tone të larta.

Seanca vijoi mes kaosit, thirrjeve dhe ndërprerjeve të njëpasnjëshme, ndërsa opozita paralajmëroi se aksioni politik do të vazhdojë deri në zbardhjen e plotë të aferave dhe arrestimin e personave të përfshirë në to.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related