Dan Bongino jep dorëheqjen si zëvendësdrejtor i FBI-së: Falënderoj Donald Trump për mundësinë për të shërbyer

Data

Dan Bongino ka njoftuar se do të largohet nga posti i zëvendësdrejtorit të FBI-së në janar, vetëm disa muaj pasi u emërua në këtë detyrë nga presidenti Donald Trump.

Lajmin e bëri publik përmes një postimi në rrjetin social X, ku shprehu mirënjohje për Presidentin Trump, Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi dhe Drejtorin e FBI-së, Kash Patel.

“Do të largohem nga pozicioni im në FBI në janar. Dua të falënderoj Presidentin Trump, Prokuroren e Përgjithshme Pam Bondi dhe Drejtorin Kash Patel për mundësinë për të shërbyer me qëllim,” shkroi Bongino.

Ai shtoi se falënderimi i tij më i madh u takon qytetarëve amerikanë:

“Mbi të gjitha, dua të falënderoj bashkëkombësit e mi amerikanë për privilegjin që pata t’ju shërbej. Zoti e bekoftë Amerikën dhe të gjithë ata që e mbrojnë atë.”

Dorëheqja e Bonginos vjen pasi Presidenti Trump deklaroi se ai ka bërë “një punë të shkëlqyer” në detyrë dhe se dëshiron të rikthehet në aktivitetin e tij mediatik, veçanërisht në emisionin dhe podcastin e tij të njohur.

Një emërim që ngjalli debat

Dan Bongino u emërua zëvendësdrejtor i FBI-së në muajin shkurt, një vendim që u konsiderua surprizë pasi ky post tradicionalisht është mbajtur nga agjentë karriere të FBI-së. Ai nuk kishte përvojë të mëparshme në drejtimin e agjencisë.

Më herët, Bongino ka shërbyer si oficer i policisë së Nju Jorkut dhe si agjent i Shërbimit Sekret të SHBA-së, ku ka qenë i ngarkuar edhe me mbrojtjen e ish-presidentit Barack Obama.

Në vitet e fundit, ai u bë një figurë shumë e ndjekur në mediat konservatore përmes podkasteve dhe paraqitjeve televizive, duke ndërtuar një bazë të gjerë mbështetësish.

Shoqata e Agjentëve të FBI-së, e cila përfaqëson rreth 14 mijë agjentë aktualë dhe ish-agjentë, kishte kundërshtuar emërimin e tij, duke ngritur shqetësime për mungesën e përvojës institucionale.

Megjithatë, Bongino mbeti një nga aleatët më të fortë të Donald Trump, deri në largimin e tij nga posti drejtues në agjenci.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related