Policia e Shkodrës ka arrestuar një 19-vjeçar, i dyshuar si autor i djegies së qëllimshme të dy automjeteve në lagjen “Iliria”, ndërsa ka proceduar penalisht edhe një 16-vjeçar, i dyshuar si bashkëpunëtor në këtë ngjarje kriminale.
Në pranga ka rënë shtetasi Klavdo Macaj, banues në Shkodër. Ngjarja ka ndodhur në mëngjesin e datës 9 dhjetor 2025, ku dy automjetet e djegura rezultojnë në pronësi të shtetasve me iniciale Z. K. dhe A. D.
Operacioni policor “Traces”
Pas hetimeve intensive, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shkodër finalizuan operacionin policor të koduar “Traces”, i cili çoi në identifikimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e 19-vjeçarit, policia gjeti dhe sekuestroi, në cilësinë e provës materiale:
- veshjet e përdorura gjatë vendosjes së zjarrit,
- një armë zjarri mitraloz i lehtë,
- municion luftarak,
- një sasi lënde narkotike kanabis.
Po ashtu, për një 16-vjeçar ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, pasi dyshohet se ka bashkëpunuar në djegien e automjeteve.
Hetimet vijojnë
Policia bën me dije se hetimet po vijojnë për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, ndërsa materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
