Ballkani Perëndimor nuk zë më vend qendror në vizionin strategjik të Shteteve të Bashkuara. Strategjia e re e Sigurisë Kombëtare e SHBA-së tregon qartë një zhvendosje prioritetesh, ku rajoni përmendet rrallë dhe Kosova shfaqet vetëm simbolikisht, si një sukses i kaluar diplomatik, jo si fokus aktual politik apo strategjik.
Dokumenti i publikuar nga Shtëpia e Bardhë thekson se SHBA-ja nuk synon më të mbajë barrën e rendit global dhe se angazhimi i saj do të kufizohet vetëm aty ku preken drejtpërdrejt interesat amerikane. Prioriteti i parë është Hemisfera Perëndimore, e ndjekur nga Azia, Evropa dhe më pas Lindja e Mesme. Në këtë renditje, Ballkani mbetet në periferi.
Në strategji, Kosova përmendet vetëm në kapitullin e parimeve, si pjesë e marrëveshjeve të ndërmjetësuara gjatë presidencës Trump me Serbinë. Nuk ka referenca konkrete për angazhim të ardhshëm politik, diplomatik apo të sigurisë, çka sugjeron se Uashingtoni pret që Evropa të marrë përgjegjësinë kryesore për rajonin.
Ekspertë të politikës amerikane vlerësojnë se kjo qasje pasqyron jo vetëm uljen e urgjencës së krizave në Ballkan, por edhe një lodhje strategjike të SHBA-së nga angazhimet afatgjata në rajone që nuk përbëjnë kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë amerikane. Sipas tyre, mospërfshirja e Ballkanit mund të jetë edhe një zgjedhje pragmatike, për të shmangur tensione të reja apo debate ideologjike.
Megjithatë, në Uashington ka edhe mesazhe kontradiktore. Kongresi amerikan po shtyn përpara ligje që forcojnë praninë ushtarake në Evropë dhe mbështesin stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, duke theksuar rëndësinë e zhvillimit ekonomik dhe normalizimit të marrëdhënieve Kosovë–Serbi, të bazuar në njohje reciproke.
Kjo ndarje mes strategjisë ekzekutive dhe linjës së Kongresit krijon paqartësi për drejtimin real të politikës amerikane. Disa analistë e shohin këtë si një “hapësirë shprese” për rajonin, duke argumentuar se SHBA-ja nuk po tërhiqet plotësisht nga Evropa, por po riformulon rolin e saj.
Në këtë kontekst, Kosova mbetet në një pozitë delikate. Aleanca me SHBA-në vazhdon të jetë shtylla kryesore e sigurisë, por pritshmëritë për një ndërhyrje apo mbështetje të drejtpërdrejtë si në fund të viteve ’90 nuk janë më realiste. Prania e kampit Bondsteel mbetet një faktor sigurie, por pesha e tij në të ardhmen do të varet nga dinamika e marrëdhënieve SHBA–Rusi dhe nga roli i Evropës.
Ekspertët paralajmërojnë se një tërheqje relative amerikane do të krijonte hapësirë për aktorë të tjerë si Rusia dhe Kina. Rusia synon destabilizim politik dhe tensione etnike, ndërsa Kina kërkon ndikim ekonomik përmes kontrollit të infrastrukturës strategjike.
Në këtë realitet të ri gjeopolitik, përgjegjësia kryesore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor po kalon gjithnjë e më shumë te Bashkimi Evropian. Integrimi evropian shihet si rruga më e qëndrueshme për sigurinë dhe zhvillimin e rajonit, veçanërisht për Kosovën, e cila ende nuk ka status kandidati.
Për Kosovën, sfida kryesore nuk është më sigurimi i garancive të jashtme, por ndërtimi i një shteti funksional, demokratik dhe gjithëpërfshirës. Respektimi i të drejtave të pakicave, stabiliteti institucional dhe gatishmëria për kompromis politik janë elementë kyç për të ruajtur mbështetjen ndërkombëtare.
Në një kohë kur mburoja amerikane nuk është më e garantuar si dikur, testi i vërtetë për Kosovën dhe Ballkanin është aftësia për të mos u kthyer në vatër krizash, por për t’u integruar si pjesë e një Evrope më të fortë dhe më të përgjegjshme.
