Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të kryeministrit Edi Rama lidhur me praninë e oficerëve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) në godinën e Kryeministrisë, duke e cilësuar ngjarjen si një përpjekje për të penguar drejtësinë.
Në një bashkëbisedim me ndjekësit në rrjetet sociale, Berisha deklaroi se oficerët e BKH kishin shkuar në Kryeministri për të konfiskuar dokumente që, sipas tij, lidhen me veprimtari kriminale. Ai theksoi se këtë fakt e ka denoncuar publikisht edhe më herët.
Sipas Berishës, kryeministri Rama ka penguar hetuesit dhe, në një rast tjetër, ka kërkuar që ata të çarmatosen para se të hynin në institucion. Kreu i PD-së e interpretoi këtë veprim si shenjë frike personale nga ana e Ramës, duke pretenduar se ai ka menduar se mund të arrestohej për shkak të veprimeve të tij.
“Rama i ka penguar oficerët e BKH për të konfiskuar dokumente krimi. Kur ata janë kthyer sërish, u ka kërkuar të çarmatosen. Ai ka menduar se, për shkak të asaj që ka bërë, mund ta arrestonin. Kjo është një fobi, por edhe një tregues i qartë i frikës nga drejtësia”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se kjo sjellje nuk ka precedent dhe përbën një ndërhyrje të papranueshme në punën e organeve të drejtësisë, duke cenuar pavarësinë e hetimeve dhe funksionimin e shtetit të së drejtës.
Duke iu referuar çështjes së hetimeve për tenderin e tunelit të Llogarasë, Berisha deklaroi se kryeministri është, sipas tij, më i implikuar sesa vetë zv/kryeministrja Belinda Balluku. Ai pretendoi se Rama ka pasur rol aktiv në këtë aferë dhe se mbrojtja që po i bëhet Ballukut është, në thelb, një përpjekje për të mbrojtur veten.
“Rama është shumë më i lidhur në këtë aferë sesa Balluku. Ai po e mbron atë vetëm për të mbrojtur veten e tij”, deklaroi Berisha.
Në përfundim, kreu i Partisë Demokratike akuzoi kryeministrin për përpjekje sistematike për të frenuar hetimet dhe për të ushtruar presion mbi institucionet e drejtësisë, duke paralajmëruar se këto veprime, sipas tij, minojnë besimin publik dhe rrezikojnë demokracinë.
