“Berisha më merrte në prehër dhe më fliste për trimërinë e babait” – Rrëfimi prekës i djalit të Azem Hajdarit për fëmijërinë pa të atin

Data

Djali i Azem Hajdarit, një prej figurave simbol të demokracisë shqiptare dhe lider i lëvizjes studentore të viteve 1990–1991, ka ndarë një rrëfim emocional për fëmijërinë e tij dhe kujtimet që i janë përcjellë për të atin e vrarë, gjatë një interviste në emisionin “Kjo Javë” me moderatore Nisida Tufën.

Azemi, që mban emrin e babait të tij, tregoi se që në moshë shumë të vogël ka ndjerë peshën dhe domethënien e mbiemrit që mbart, ndërsa kujtoi raportin e afërt që kishte me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.

“Kur isha i vogël, Berisha vinte gjithmonë për përvjetore, më merrte në prehër sepse isha ende fëmijë. Më tregonte foto të babit dhe më fliste për guximin e tij”, rrëfeu Azemi.

Ai ndau edhe një histori që Berisha i kishte treguar për Azem Hajdarin gjatë një proteste të Partisë Demokratike, ku situata kishte qenë tepër e rrezikshme.

“Më tregonte se babai kishte qenë në një protestë, ku dikush hodhi një granatë. Azemi u hodh ta kapte pa pyetur fare për rrezikun. Më thoshte se kush ishte me Azemin ndiheshe sikur ishte me ushtrinë, nuk kishe pse të kishe frikë”, tregoi ai.

Rrëfimi i tij u shoqërua me emocione të forta, ndërsa foli për mungesën e figurës së babait dhe për mënyrën se si të tjerët e kanë ndihmuar të ndërtojë kujtimet për të.

I pyetur nëse ka dëshirë të ndjekë rrugën e politikës, Azemi u shpreh se politika për të ka një kuptim të veçantë, jo vetëm për shkak të emrit që mban.

“Politika më pëlqen sepse është mënyra më e mirë për të bërë mirë. Nuk është diçka që e mendoj tani, por ndoshta një ditë. Edhe sikur të mos isha djali i Azem Hajdarit, politika ka rëndësi të veçantë për mua”, tha ai.

Djali i Azem Hajdarit theksoi se trashëgimia morale e babait të tij është një përgjegjësi e madhe, por edhe një motivim për të jetuar me parime, guxim dhe ndershmëri, vlera që, sipas tij, babai i tij mishëronte plotësisht.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related