Berisha ndez opozitën nga Elbasani: Kryesia e PD-së vendos nisjen e revoltave

Data

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë foltores së radhës me demokratët e Elbasanit, paralajmëroi nisjen e një faze të re të aksionit opozitar, duke deklaruar se ditën e nesërme do të mblidhet Kryesia e PD-së për të vendosur “me urgjencë” fillimin e revoltave kundër qeverisë.

Berisha u shpreh se situata politike në vend është e papranueshme dhe se opozita ka “punë direkte me Edi Ramën”, të cilin e akuzoi për kapje të institucioneve dhe manipulim të procesit zgjedhor.

“Ata që janë gati, me ata do ngrihemi. 3 mijë shqiptarë janë gati që nesër dhe do shtohemi. Nuk rrihet më. Kemi punë me Edi Ramën. Është në gjak për votën tonë. O do votojmë të lirë, ose do shuhemi. Nuk mund të rrijmë më në funksion të një farse,” deklaroi Berisha.

Kryedemokrati akuzoi kryeministrin se po ushtron presion dhe kontroll mbi drejtësinë, duke përmendur edhe procesin për zgjedhjen e drejtuesit të SPAK-ut, për të cilin tha se është nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Ramës.

Sipas Berishës, protestat e deritanishme kanë qenë vetëm faza përgatitore dhe se aksioni opozitar do të përshkallëzohet ndjeshëm në ditët në vijim.

“Janë diktaturat që përfundojnë atje ku e kanë vendin. Nesër në drekë mblidhet Kryesia e Partisë Demokratike dhe do të vendosë me urgjencë fillimin e revoltave që nuk ndalen më kurrë, deri në largimin e Edi Ramës,” theksoi ai.

Berisha shtoi se protesta e mbajtur më herët para Kryeministrisë kishte për qëllim “zënien e territorit” dhe paralajmëroi qëndrime të përhershme në shesh.

“E filluam për të zënë vendin. Aty do të jemi ditë e natë derisa të rrëzojmë Edi Ramën. Është sheshi ynë, sheshi i fitores,” përfundoi Berisha.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related