Një aksion i organizuar nga strukturat e Policisë së Korçës ka çuar në goditjen e një tjetër rasti të shpërndarjes së lëndëve narkotike në qytet, duke përfunduar me arrestimin e një 34-vjeçari dhe procedimin në gjendje të lirë të një 23-vjeçari, i dyshuar si bashkëpunëtor.
Gjatë kontrolleve të kryera mbrëmjen e djeshme, policia i gjeti një sasi të vogël lënde narkotike të dyshuar kanabis 23-vjeçarit. Në vijim të hetimeve, u dokumentua se lënda narkotike dyshohet të jetë siguruar nga një 34-vjeçar, i cili u arrestua pak më vonë.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë kontrollit në banesën e 34-vjeçarit, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan më shumë se 30 doza kanabisi, të ndara dhe të bëra gati për shitje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Korçës për vijimin e veprimeve ligjore, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.
