Zyrtari i lartë amerikan vlerëson SPAK-un: “Dumani vendosi standard të ri kundër krimit ndërkombëtar, presim bashkëpunim të njëjtë edhe me pasardhësin”

Data

Zëvendësdrejtori i SHBA për Çështjet e Evropës Perëndimore dhe Qendrore, Lyn Debevoise, zhvilloi sot një vizitë zyrtare në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku u prit nga kreu në largim, Altin Dumani, si dhe nga drejtori i ri i BKH-së, Joni Keta.

Sipas një njoftimi të Ambasadës Amerikane në Tiranë, Debevoise vlerësoi lart rolin dhe punën e Dumanit gjatë drejtimit të SPAK, duke theksuar se kontributi i tij ka ngritur standardet në bashkëpunimin mes institucioneve shqiptare dhe agjencive amerikane të ligjit.

SHBA: Dumani ngriti nivelin e luftës kundër krimit ndërkombëtar

Në deklaratën e ambasadës nënvizohet se Dumani ka qenë një partner kyç i SHBA-ve në përballjen me rrjete kriminale që rrezikojnë sigurinë amerikane dhe në luftën kundër korrupsionit, i cili dëmton edhe investimet e bizneseve amerikane në Shqipëri.

“Përpjekjet e z. Dumani vendosën standardin për bashkëpunim të fortë mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë kundër organizatave kriminale ndërkombëtare,” thuhet në reagimin zyrtar.

Shtetet e Bashkuara shprehën gjithashtu pritshmëri që ky bashkëpunim i ngushtë të vazhdojë edhe me drejtuesin e ri të SPAK, i cili pritet të zgjidhet nesër nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP).

Takim edhe me drejtuesin e ri të BKH-së

Gjatë vizitës, Debevoise zhvilloi një takim edhe me Joni Ketën, kreun e sapoemëruar të Byrosë Kombëtare të Hetimit, institucion që ka rol thelbësor në operacionet kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

Vizita e zyrtarit amerikan vjen në një moment kyç për drejtësinë shqiptare, vetëm një ditë para zgjedhjes së drejtuesit të ri të SPAK, çka i jep peshë shtesë mesazhit të SHBA-ve për vazhdimësinë e reformës dhe të luftës së pandalshme kundër krimit dhe korrupsionit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related