Tryeza e Shehajt për drejtësinë: “Balluku vodhi 50 mln euro me një mesazh! Fati i saj është vendosur – është koha të mblidhemi për Shqipërinë”

Data

Kreu i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka paralajmëruar mbajtjen e një tryeze për drejtësinë, ku nesër do të prezantojë një platformë të re për mbrojtjen e sistemit gjyqësor nga ndërhyrjet politike. Në një intervistë për News24, Shehaj u ndal ashpër edhe te çështja Balluku dhe sulmet e kryeministrit Rama ndaj SPAK.

“Rama shqetësohet për 1600 euro, por jo për 50 milionët që vodhi Balluku me një mesazh”

Shehaj deklaroi se kryeministri po përpiqet të zhvendosë vëmendjen nga skandalet e korrupsionit brenda qeverisë.

“Edi Rama sot kujton 1600 euro që thotë se kërkon prokuroria. Mund të jetë edhe shpifje e tij. Por nuk i bën përshtypje 50 milionë eurot që vodhi Belinda Balluku me një mesazh, sepse ‘kishte një ndjesi’. Kjo nuk e shqetëson fare. Atij i prish punë vetëm drejtësia që po i afrohet.”

Shehaj theksoi se prokuroria kërkon më shumë fonde sepse ka shumë punë pikërisht për shkak të korrupsionit të qeverisë.

“Këto janë ditë të mira për Shqipërinë – të korruptuarit po dalin para drejtësisë”

Sipas kreut të Partisë Mundësia, vendi po kalon një moment historik pasi për herë të parë korrupsioni i nivelit të lartë po përballet realisht me ligjin.

“Ka një kakofoni të madhe në media për t’i çoroditur njerëzit, por faktet janë kokëforta: më në fund të korruptuarit po dalin para drejtësisë. Këto ditë janë jashtëzakonisht të mira për Shqipërinë. Shqiptarët shohin më në fund një dritë në fund të tunelit.”

Çështja Balluku – “Nuk e heq se nuk ka kush hedh firmën”? Absurditet, thotë Shehaj

Shehaj hodhi poshtë argumentin e Ramës se nuk e shkarkon Belinda Ballukun nga posti i zv.kryeministres sepse “nuk ka kush të firmosë” për linjën ajrore Kanada–Shqipëri.

“Mjafton të zëvendësojë ministren. A ka ndonjë ministre tjetër që mund të hedhë firmë? Natyrisht që ka. Këto justifikime janë qesharake. Çështja Balluku është një moment kthese për Shqipërinë.”

“Fati i tyre është vendosur – Rama e ka të ardhmen ose në arrati, ose në burg”

Shehaj tha se tashmë proceset janë të pakthyeshme dhe ndërhyrjet e Ramës nuk e ndryshojnë dot drejtimin e hetimeve.

“Edi Rama mund të shpikë fushata denigruese ndaj SPAK, por fati i tyre është vendosur. Dhe nuk është vendosur në Shqipëri, por jashtë. Rama e ka të ardhmen ose në arrati, ose në burg. Ne duhet të mendojmë për Shqipërinë e së ardhmes.”

“Nuk mund të vazhdojmë secili më vete – është momenti për t’u bashkuar”

Shehaj theksoi se tryeza e nesërme do të jetë vetëm hapi i parë i një procesi më të gjerë bashkimi në mbrojtje të drejtësisë dhe shtetit ligjor.

“Nuk mund të vazhdojmë secili për hesapin e vet. Ky është një moment historik. Ne do të mblidhemi për Shqipërinë, jo për kalkulime politike.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related