Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka cilësuar si “keqdashëse” gjobën prej 120 milionë eurosh që Bashkimi Europian i vendosi platformës “X”, në pronësi të Elon Musk. Duke komentuar vendimin e autoriteteve europiane të teknologjisë, Trump tha se nuk e kupton se si një masë e tillë mund të justifikohet.
“Evropa po ecën në disa drejtime krejt të gabuara,” deklaroi Trump gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, duke shtuar se pret një raport të detajuar mbi çështjen brenda ditës.
Ai theksoi se gjoba duket e pajustifikuar dhe se një veprim i tillë mund të ketë pasoja më të gjera për marrëdhëniet teknologjike dhe ekonomike ndërmjet dy kontinenteve.
“Nuk shoh se si mund ta bëjnë këtë,” tha presidenti amerikan, duke sqaruar gjithashtu se Elon Musk nuk i ka kërkuar ndonjë ndihmë apo ndërhyrje për këtë çështje.
Trump paralajmëroi se Bashkimi Europian duhet të tregojë kujdes në mënyrën se si po trajton kompanitë teknologjike: “Evropa duhet të jetë shumë e kujdesshme.”
Vendimi i BE-së për të gjobitur “X” lidhet me shkelje të supozuara të rregullave të reja për moderimin e përmbajtjes, transparencën dhe menaxhimin e të dhënave, pjesë e paketës ligjore së Aktit të Shërbimeve Digjitale. Ndërkohë, kritikat e Trump pritet të ndezin edhe më tej debatin global mbi mënyrën se si duhet të rregullohen platformat e mëdha teknologjike.
