Presidenti amerikan Donald Trump ka bërë të ditur se brenda kësaj jave do të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që synon unifikimin e procesit të miratimit të aplikacioneve të inteligjencës artificiale në Shtetet e Bashkuara. Qëllimi kryesor i masës është shmangia e një situate ku çdo shtet amerikan vendos rregulla të ndryshme, çka sipas Trump, krijon pengesa të panevojshme për industrinë e teknologjisë.
Në një postim në rrjetin e tij Truth Social, Trump theksoi se SHBA duhet të ketë vetëm një kornizë të vetme rregullatore për të ruajtur epërsinë globale në fushën e inteligjencës artificiale.
Sipas tij, kompanitë teknologjike nuk mund të detyrohen të kërkojnë “50 miratime të ndryshme” sa herë që duan të zhvillojnë apo implementojnë një aplikacion të ri të AI-së.
Megjithëse presidenti nuk zbuloi detaje të tjera mbi përmbajtjen e urdhrit ekzekutiv, nisma pritet të ndikojë ndjeshëm në mënyrën sesi shtetet individuale ndërhyjnë në rregullimin e teknologjive të avancuara, duke forcuar qasjen qendrore federale.
Nënshkrimi i urdhrit ekzekutiv konsiderohet një hap i rëndësishëm për industrinë amerikane të AI-së, e cila vitet e fundit ka parë një rritje të shpejtë dhe konkurrencë të fortë nga aktorë globalë.
