Deputetja e Partisë Demokratike Albana Vokshi dhe kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, morën pjesë në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të Unionit Ndërkombëtar Demokrat (IDU) që u mbajt në Uashington, ku denoncuan situatën politike dhe gjendjen e demokracisë në Shqipëri.
Të dy ligjvënësit e opozitës paralajmëruan për rrëshqitjen e vendit drejt autoritarizmit dhe degradimin e proceseve zgjedhore, duke e cilësuar Shqipërinë “autokraci elektorale”.
Vokshi: Zgjedhjet vidhen, institucionet kapen, Shqipëria po bëhet parajsë e karteleve
Në fjalën e saj, Albana Vokshi përshkroi “krizën e thellë të demokracisë”, duke theksuar se zgjedhjet në Shqipëri manipulohen sistematikisht, ndërsa institucionet, media dhe opozita funksionojnë nën presion të vazhdueshëm.
Sipas saj, Shqipëria është shndërruar në “vend të favorshëm për kartelet e drogës dhe pastrimin ndërkombëtar të parave”, një rrezik që sipas saj prek edhe vendet e BE-së.
Ajo i bëri thirrje IDU-së dhe faktorëve perëndimorë të mbështesin opozitën shqiptare në përballjen me atë që e cilësoi “bashkim i partisë-shtet me grupet kriminale”.
Mediu: Shqipëria po bëhet “republika e një njeriu të vetëm”
Fatmir Mediu, në një fjalim të ashpër, deklaroi se vendi ndodhet në pikën më kritike të 30 viteve pluralizëm dhe se sistemi i drejtësisë është kthyer në mjet politik të qeverisë.
“Mbi 1.3 milionë qytetarë kanë braktisur vendin që nga viti 2013. Zgjedhjet manipulohen për herë të tretë radhazi. Media kontrollohet në 90% të saj. Shqipëria po zbrazet ndërsa krimi dhe korrupsioni lulëzojnë”, tha Mediu.
Ai akuzoi disa aktorë politikë në Bruksel se mbajnë qëndrim të njëanshëm:
“Na quajnë anti-europianë vetëm pse punësuam menaxherin e fushatës së Trump. Mbyllin sytë ndaj shkeljeve të rënda të zgjedhjeve, duke mohuar raportet e tyre.”
Mediu paralajmëroi se Shqipëria po ndjek rrugën e Gjeorgjisë, me arrestime të figurave të opozitës dhe kapje të institucioneve.
IDU miraton rezolutë për situatën në Shqipëri
Unionit Ndërkombëtar Demokrat miratoi një rezolutë të posaçme për Shqipërinë, e cila sipas opozitës përbën mbështetje politike ndërkombëtare dhe sinjal alarmi për gjendjen e demokracisë në vend.
Rezoluta i referohet shkeljeve të procesit zgjedhor të 11 majit, kapjes së institucioneve dhe lidhjeve të krimit të organizuar me strukturat e pushtetit.
