Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, në një deklaratë të zgjeruar për mediat, foli për tensionet e brendshme në PD pas zgjedhjeve të 11 majit dhe paralajmëroi një analizë të thellë në të gjitha strukturat e partisë. Ai akuzoi disa prej zyrtarëve dhe kontribuuesve të PD-së se kanë vepruar në mënyrë të papranueshme gjatë fushatës, duke punuar madje për Partinë Socialiste.
“Disa deputetë merrnin rrogën nga PD dhe punonin për PS”
Berisha deklaroi se farsa elektorale e 11 majit u pasua nga raste në të cilat individë brenda opozitës, të paguar nga PD-ja, punuan për mazhorancën.
“Pati nga ata demokratë që kishin marrë edhe rrogën e deputetit në PD, që u bënë drejtora dhe këshilltarë në strukturat e narkoshtetit. Ka të tjerë që gjatë fushatës nuk kanë punuar asnjë ditë. Disa madje shkuan me pushime. Të tjerë punuan hapur për PS-në,” – tha ai.
Ai theksoi se çdo rast do të analizohet dhe secili do japë llogari para strukturave të partisë.
Foltorja dhe analiza: “Askush nuk është mbi përgjegjësinë”
Kreu i PD-së u ndal edhe te foltorja e mbajtur nga deputeti Ervin Salianji, duke e cilësuar si pjesë të procesit të nevojshëm të reflektimit. Ai shtoi se analiza nuk do kufizohet në takime publike, por do shtrihet në çdo qelizë të partisë.
“Do ketë analizë për çdo njeri, për drejtuesit politikë, për strukturat dhe për mua vetë. Ne jemi parti e vlerave dhe duhet të japim llogari para demokratëve dhe shqiptarëve.”
Akuzat ndaj bashkëpunëtorëve të Ramës brenda opozitës
Berisha tha se disa figura brenda opozitës jo vetëm mohuan farsën zgjedhore, por edhe i dërguan materiale kryeministrit me qëllim që raportet ndërkombëtare të dilnin më të buta.
“Pati nga ata që shkuan te Rama për t’i çuar materiale që të dobësonin raportin dhe të mohonin farsën elektorale. Këta janë skllevër të pushtetit.”
“As eksperti më i mirë nuk ndali farsën”
Duke iu referuar përfshirjes së konsulentit amerikan Chris LaCivita, Berisha tha se deformimet zgjedhore ishin aq të rënda sa që asnjë ekspert i huaj nuk mund t’i ndalte.
Përplasje me BE-në: “Deklarata e Marta Kos ishte pasionante”
Berisha komentoi edhe deklaratat e Komisioneres për Zgjerim, Marta Kos, duke thënë se BE nuk e mbështeti qëndrimin e saj.
“Deklarata e zonjës Kos ishte pasionante. Më mirë që Komisioni dhe ambasadori i BE nuk e komentuan. Faktet e institucioneve janë ato që vlejnë.”
Krimi i organizuar dhe akuzat ndaj qeverisë
Ai rikthehu akuzat për lidhjet e qeverisë me kartelet e drogës, duke përmendur raportime të mediave ndërkombëtare dhe burime të shërbimeve sekrete.
“Shqetësimi më madhor i administratës Trump është krimi i organizuar dhe kartelet e drogës. Ka artikuj të shumtë që konfirmojnë atë që ne kemi thënë prej kohësh.”
Berisha: Do ketë llogaridhënie – askush nuk shpëton
Në mbyllje, Berisha tha se analiza që PD do zhvillojë së shpejti do jetë e detajuar, pa asnjë tolerim për shkeljet, mungesën e kontributit apo bashkëpunimin me kundërshtarin politik.
