Kosova ka mësuar sot kundërshtarët e saj të mundshëm në Kupën e Botës 2026, pas shortit të hedhur në Uashington. “Dardanët” synojnë pjesëmarrjen historike në Botëror, por për këtë duhet të kalojnë fillimisht Sllovakinë në gjysmëfinalen e play-off-it dhe më pas fituesin e duelit Turqi–Rumani, në finalen që do të luhet më 31 mars në Prishtinë.
Nëse arrin kualifikimin, Kosova do të vendoset në Grupin D, ku e presin tre sfida të forta dhe të paprecedenta: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Paraguai dhe Australia. Kosova nuk është ndeshur kurrë më parë me këto kombëtare, çka do t’i jepte ngjyrë historike debutimit të saj të mundshëm në fazën finale.
Ndërkaq, Shqipëria është shortuar në Grupin F, ku në rast kualifikimi do të përballet me Holandën, Japoninë dhe Tunizinë. Nga këto ekipe, kuqezinjtë kanë histori vetëm ndaj Holandës, ndaj së cilës kanë luajtur katër herë – të gjitha të humbura. I vetmi gol i Shqipërisë në këto përballje është shënuar nga Debatik Curri.
Për t’u bërë pjesë e Botërorit 2026, Shqipëria duhet të triumfojë fillimisht ndaj Polonisë në Varshavë më 26 mars dhe më pas të fitojë finalen e play-off-it ndaj fituesit të ndeshjes Ukrainë–Suedi, që po ashtu luhet në transfertë më 31 mars.
Turneu më i madh futbollistik në planet zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, dhe nis zyrtarisht më 11 qershor 2026.
