Ligji i ri në Irak ndez alarm ndërkombëtar: Gratë humbin të drejta kyçe në martesë dhe divorc

Data

Iraku po përballet me një valë të fortë kritikash ndërkombëtare, pas miratimit të një ligji të ri familjar që, sipas organizatave të të drejtave të njeriut, cenon rëndë të drejtat e grave dhe i rikthen ato disa dekada pas.

“Kodi i ri i Statusit Personal Xha’afari”, i miratuar më 27 gusht 2025 nga Parlamenti irakian, u jep burrave kontroll thuajse të plotë mbi martesen, divorcin, kujdestarinë e fëmijëve dhe trashëgiminë. Ligji lejon çiftet të zgjedhin mes kuadrit të vjetër të vitit 1959 dhe këtij kodi të ri të bazuar në jurisprudencën shiite, por dispozitat e reja kanë ngritur shqetësime të thella për pabarazi strukturore.

Sipas Human Rights Watch, ligji përmban rregulla që i heqin gruas të drejtën e pëlqimit në disa vendimmarrje jetike. Një burrë mund të ndryshojë statusin ligjor të martesës pa dijeninë e bashkëshortes dhe të iniciojë divorcin pa qenë i detyruar ta njoftojë atë. Po ashtu, kujdestaria e fëmijëve i transferohet automatikisht babait kur fëmija mbush shtatë vjeç, pavarësisht rrethanave familjare apo interesit të fëmijës.

Edhe pse disa nene më ekstreme — përfshirë propozimin që do të ulte moshën minimale të martesës për vajzat në 9 vjeç — u tërhoqën pas reagimeve të ashpra, ligji mbetet thellësisht diskriminues.

“Ky kod e bën diskriminimin ligjor, duke e reduktuar statusin e gruas në një qytetare të dorës së dytë,” paralajmëroi Sarah Sanbar, studiuese e Human Rights Watch për Irakun. Grupet e grave në vend kërkojnë shfuqizimin e menjëhershëm të ligjit, duke e cilësuar atë si hapin më të rrezikshëm ndaj të drejtave të grave në dekada.

Një rast ilustrues është ai i Ghazal H., së cilës ish-burri — i dënuar më herët për dhunë ndaj saj — kërkoi t’i hiqej kujdestaria e djalit përmes zbatimit retroaktiv të kodit të ri, megjithëse martesa e tyre ishte lidhur sipas ligjit të vjetër. Ky rast po përdoret si shembull i rrezikut real që ligji sjell për gratë e divorcuara.

Problemi shkon përtej ligjit të ri. Iraku ende nuk ka një kuadër ligjor kundër dhunës në familje (me përjashtim të Rajonit të Kurdistanit), ndërsa Kodi Penal vazhdon të lejojë burrat të “disiplinojnë” gratë dhe të japë dënime të reduktuara për “krime nderi”.

Organizatat e të drejtave të njeriut paralajmërojnë se ky ligj mund të ketë pasoja afatgjata, duke përjetësuar pabarazinë dhe duke rrezikuar brezat e ardhshëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related