Nazif Muslija, 50-vjeçari shqiptar nga Maqedonia e Veriut, i akuzuar për vrasjen e bashkëshortes së tij Sadjide Muslija në Pianello Vallesina di Monte Roberto (Ancona), është arrestuar pasi u gjet i plagosur rëndë në një zonë të thellë malore pranë Matelica-s, në provincën e Macerata-s.
Sipas mediave italiane, një gjuetar ishte i pari që e pa të shtrirë përtokë rreth orës 16:30 dhe i dha ndihmën e parë, para se të njoftonte karabinierët. Pak më larg ndodhej e braktisur makina e tij, një Smart e bardhë, e shpallur në kërkim pas ngjarjes së rëndë.
Dyshohet tentativë vetëvrasjeje
Hetuesit dyshojnë se Muslija ka tentuar t’i japë fund jetës pas arratisjes. Gjendja e tij shëndetësore është e rëndë, dhe ai u transportua menjëherë me ambulancë drejt spitalit, ku po mbahet nën mbikëqyrje.
Vrasja e gruas: goditje të forta në kokë dhe gjoks
Sadjide Muslija u gjet e pajetë më 3 dhjetor, në shtratin e saj, me plagë të rënda në kokë dhe gjoks. Pranë vendit të ngjarjes, karabinierët sekuestruan një tub hekuri ndërtimi, në të cilin raportohet se janë gjetur gjurmë gjaku. Objekti u dërgua për analiza laboratorike për të konfirmuar nëse është arma e krimit.
Arrestimi i të dyshuarit
Pas dy ditësh kërkimesh intensive, autoritetet identifikuan zonën ku i dyshuari mund të ishte strehuar. Gjetja e tij i jep një zhvillim të ri hetimit, ndërsa pritet që pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore, Prokuroria italiane ta marrë në pyetje për t’u zbardhur motivet e ngjarjes së rëndë që tronditi komunitetin.
