Hetimet e SPAK për aferat e dyshuara të tenderave të mëdhenj publikë kanë sjellë sot në Prokurorinë e Posaçme një tjetër zyrtar të lartë të qeverisë. Kreu i Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Gentian Gjyli, është paraqitur në mesditë në ambientet e SPAK, fillimisht për të dorëzuar ankimimin ndaj masës së sigurisë të dhënë nga GJKKO, dhe më pas për të dhënë deklarime para prokurorëve.
Sipas burimeve, pas depozitimit të ankimit, Gjyli është thirrur për të sqaruar rolin e tij në procedurat e tenderit për Tunelin e Llogarasë, një projekt me vlerë rreth 190 milionë euro pa TVSH, i cili po hetohet intensivisht për shkelje të barazisë në tendera dhe favorizime të paligjshme.
Lëvizje e njëpasnjëshme e vartësve të Ballukut në SPAK
Vetëm pak orë më herët, në Prokurorinë e Posaçme ishte paraqitur edhe drejtori i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (KESH), Erlad Elezi, i cili – ashtu si Gjyli – ndodhet nën masën e arrestit në shtëpi për të njëjtat akuza.
Rasti i tyre lidhet drejtpërdrejt me hetimin e SPAK që përfshin edhe Belinda Ballukun, e cila është pezulluar nga detyra dhe i është sekuestruar pasaporta. Balluku, së bashku me ish-drejtorin e ARRSH-së Evis Berberi, si dhe disa vartës të tjerë, akuzohen për manipulim dhe paracaktim fituesish në tenderat e:
- Tunelit të Llogarasë, me vlerë rreth 190 milionë euro
- Lotit 4 të Unazës së Madhe të Tiranës, me vlerë rreth 20 milionë euro
Vlera totale e tenderave që po hetohen arrin në 210 milionë euro.
Si nisi procedura e dyshimtë për tenderin?
Tenderi për Tunelin e Llogarasë ka kaluar disa faza të dyshimta:
- U hap fillimisht më 11 dhjetor 2020
- U anulua
- U rihap më 22 qershor 2021 me fond limit të njëjtë, duke ngritur dyshime mbi manipulime dhe synim për të favorizuar ofertues të caktuar
Sipas SPAK, pikërisht gjatë këtyre fazave është ndërhyrë në mënyrë të paligjshme për të orientuar fituesin e kontratës.
GJKKO: Ekziston rrezik i ndikimit dhe i fshirjes së provave
Në vendimin e saj për masat e sigurisë, GJKKO ka sqaruar se pezullimi dhe ndalimi i lëvizjes së zyrtarëve të përfshirë është i domosdoshëm, pasi:
- Mund të dëmtojnë provat
- Mund të ndikojnë tek punonjësit e institucioneve që po merren në pyetje
- Mund të vazhdojnë abuzimet me tendera të tjerë
- Ekziston rreziku i arratisjes
Hetimet vijojnë dhe priten zhvillime të reja
Pas paraqitjes së Elezit dhe Gjyli në SPAK, priten lëvizje të tjera në kuadër të hetimit që konsiderohet një nga dosjet më të rëndësishme të korrupsionit në sektorin e infrastrukturës publike.
Në qendër të hetimit mbeten:
- Procedurat e tenderit
- Ndërhyrjet e dyshuara të ministrisë
- Komunikimet e zyrtarëve
- Roli i kompanive fituese
